Krasniqi pyet O’Connell: Ku duhet ta kenë vendin Nikoliqi e Vuçiqi

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka folur rreth deklaratës së ambasadorit britanik në Kosovë, Ruairi O’Connell.

Lajme

11/02/2016 15:21

Thotë se me deklaratën e tij O’connell deri diku ka pasur të drejtë se “kriminelët nuk e kanë vendin në liri”, por pyet se “a e kanë vendin në krye të shtetit ata që ishin pjesë kupolës së krimit (pas shefave të tyre)”, duke përmendur këtu krerët e Qeverisë serbe si Nikoliqi, Vuçiqi dhe Daçiqi.

Lexojeni të plotë shkrimin e Jakup Krasniqit:

Kute ekstremisht të ndryshme për krimet e luftës?!

Ambasadori britanik Ruairi O’Connell paska thënë: “Me vjen mirë që më në fund, Kuvendi e largoi një nga deputetët e dënuar për krime lufte. As Kuvendi, as zyra publike, e as liria nuk janë vendi i duhur për njerëzit e dënuar për krime të rënda. Vendi i duhur është burgu”.

Nuk kam si mos të pajtohem me Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar – Ruairi O’Connell-i, “kriminelët nuk e kanë vendin në liri”. Por, a e kanë vendin në krye të shtetit ata që ishin kupola e krimit (pas shefave të tyre), ishin pjesë e pandashme e krimit dhe e gjenocidit në tri luftëra shkatërruese në ish Jugosllavi (në Kroaci, në Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë) dhe po ata sot të jenë shpresë e integrimeve evropiane e euro-atlantike? Pse dy kute të n dryshme edhe për çështje (krime) që nuk mund të krahasohen bash me asgjë? Mos të harrojmë, për një shekull, shqiptarët e Kosovës qenë të rrezikuar nga dëbimi e shfarosja.

Sipas kësaj logjike, ku duhet të jetë Nikoliq-i, Presidenti i Serbisë, Vuçiq-i, Kryeministri i saj dhe Daçiq-i, Ministri i Jashtëm i Serbisë dhe ish zëdhënësi i Millosheviq-it? Apo atyre u lejohet çdo gjë, pse janë bijë të “popullit hyjnor” se kështu dëshirojnë ta quajnë veten politikanët dhe akademikët serb në Beograd.

Madje, ku duhet të jenë, kryepersonazhet e Raportit të Dick Martit të kthyer në Rezolutë të KE-së, mbi një bazë kryekreje të shpifur – të trafikimit të organeve (vërtetë një krim i tmerrshëm po të jetë bërë), mbi kryegënjeshtrën e shekullit të ri?! Nëse një ditë do të “guxoj” të dali e vërteta mbi këto gënjeshtra të shpifura te miqve te Millosheviq-it e të politikës së tij, Këshilli i Evropës dhe ata që e votuan dhe e besuan atë gënjeshtër të shpifur do të turpërohen, siç po turpërohet Kisha Katolike (Vatikani) pas pesë – gjashtë shekujve, për turren e druve ku u dogjën mendjet e lira të kohës vetëm pse e thanë një të vërtetë shkencore për boten që i rrethonte.

Pse Bota demokratike, bota që i di dhe i njeh mirë mundësit e veprimit e të operimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e heshtë të vërteten e luftës së Kosovës? Për ne shqiptarët është e qartë, atë/ato krim/e të tmerrshëm që e/i kryen serbet (se vetëm ata i kishin mundësit), po ua veshin shqiptarëve. Po, për krimet, gjenocidin dhe dhunimet e qindra mijëra shqiptarëve e shqiptareve (në shtëpitë e tyre) kush duhet të përgjigjet?

Vërtetë, ka ende njerëz në politikë, në medie e në diplomacinë evropiane, që nuk e dinë të vërtetën e luftës se Kosovës?

Unë thjeshtë nuk besoj! Le të thuhet e vërteta e ndjekjeve politike të njerëzv e patriotë në Kosovë, sado e hidhur që të jetë! A nuk po behet kjo për të njollosur krye vlerën e lirisë se shqiptarëve – Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës?

Sivjet bëhen 103 vjet nga sakatimi (më shumë se përgjysmimi) i pamëshirshëm i Shqipërisë se katër Vilajeteve dhe i shqiptarëve nga Konferenca e Ambasadorëve në Londër.

Mos diçka ogurzezë po u përgatitet përsëri shqiptarëve (tani në Bruksel) edhe me miratimin e Isës dhe të Hashimit dhe e përkrahësve të tyre të verbër? Të cilët, interesin e brezave të se ardhmes e kanë qitur në anekënd publik, për interesat personale të tyre? Ku e kanë vendin këta njerëz? Mos të tillët, vendin e kanë në krye të shtetit? Pse po u duhet rikthimi i Serbisë në Kosovë? Dhe shih për ketë duhet t’ i mbajmë, Isën dhe Hashimin në pushtet.

Pse po i mbështesni veprimet e tyre të çoroditura, për të lënë zjarrin e ndezur në Ballkanin e trazuar? Të njëjtën gjë e patën thënë të urtit në vitin 1912/13. “Mos i copëtoni shqiptarët se do ta leni një vatër zjarri të hapur”! Koha tregoi se ata patën të drejtë.