Krasniqi-presidentit çek: Kosova nuk është oazë e krimit

Jakup Krasniqi i është kundërvënë fjalëve të presidentit çek i cili në një vizitë në Serbi tha se FAK është armatim i UÇK-së terroriste. Ai ka thënë se fjalimi i tij tregon se shpirtin dhe mendjen e ka të helmuar nga gjenocidi i bandave të Millosheviqit.

Lajme

02/04/2014 22:46

Deklaratat e Presidentit të Çekisë, Milos Zeman e kanë prekur kryekuvendarin e Kosovës, Jakup Krasniqin.

Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook i është kundërvënë presidentit çek duke thënë se me fjalët që ai i ka deklaruar s’ka bërë gjë veçse ka hyrë në mesin e njerëzve që kanë faje të rënda gjenocidale.

Lexoni më poshtë deklaratën e plotë të Jakup Krasniqit:

“Zoti president, nuk e di a e dinë që vendi i juaj është anëtar i BE-së. BE-ja është një bashkim i shteteve që shquhen për vlera kulturore, për transparencë, për demokraci, për barazi e partneritet, për humanizëm, drejtësi e mirëkuptim mes kombeve të mëdha e të vogla. President, Kosova nuk është oazë e krimit në Evropë që jetoni dhe ju!”.

“Mënyra sesi po folni ju në vendin e krimit, në mesin e njerëzve që kanë komanduar edhe grupe paramilitare, grupe që i kanë bërë krimet më monstruoze në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, me të cilat krime hije të zezë i qiten edhe Evropës, tregon se shpirti dhe mendja e juaj është e helmuar dhe e kriminalizuar me gjenocidin e bandave te Millosheviqit e të pushtetit të tij me kryeqytet Beogradin”.

“President, po të ishe i edukuar me vlerat europerëndimore, për Kosovën dhe Beogradin do të duhej të jepnit mesazhe paqe e mirëkuptimi. Me deklarimet tuaja, z bëre gjë tjetër, veçse në mesin e njerëzve që kanë faje të renda gjenocidale, terroriste e banditeske, tregove harbutërin tuaj kriminale”.