Krasniqi: Po keqpërdoret lufta dhe nuk po respektohen ligjet

Subjekti politik, Nisma për Kosovën, ka nisur ditën e parë të fushatës me takime të ndara nëpër vende të ndryshme të Kosovës. 

Lajme

28/05/2014 14:02

Kryetari i Këshillit Kombëtar i Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka qëndruar sot në fshatra të Skenderajt. Krasniqi ka takuar banorët e Klinës se Ulët dhe Likocit, para të cilëve ka shpalosur edhe programin partiak.

Tutje Krasniqi gjatë ditës ka qëndruar edhe në Gjakovë, ku është bërë prezantimi i kandidatëve për deputetë në Parlamentin e Kosovës.

Ai në një tubim me qytetar, ka folur për keqqeverisjen në vend dhe për mundësitë që i ofron partia e tij.

\”Kosova ka pasur mundësi të qeverisë shumë më mirë me vendin, t’i shfrytëzojë kapacitetet e saja, mirëpo vetëm një grup është pasuruar në këtë vend dhe të tjerët kanë mbetur të varfër, madje kurrë më shumë së sot Kosova s’ka pasur klasë shoqërore më të pasur dhe klasë shoqërore më të varfër\”.

Krasniqi po ashtu ka thënë se ata që janë thirrur në emër të luftës e kanë keqpërdorur atë, sepse, sipas tij, ka persona që nuk dinë me ta respektojnë ligjin dhe abuzojnë me shtetin.

Ndërsa, Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka qëndruar sot në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë. Në një takim me banorë të kësaj lagje, ai foli për mënyrën se si ka degraduar vendi.

“Vendi ka degraduar në përmasa të mëdha, pushteti po uzurpon çdo gjë, edhe mendimin edhe orientimin po tenton të ua kontrolloj qytetarëve”.

“Kosova nuk vuan për ligje, doktorë, bujqësi, por vuan për mungesën e menaxhimit të duhur të këtyre fushave dhe shumë tjerave, dhe kjo ndodh për faktin se në këtë vend, njerëzit nuk lejohen të punojnë dhe ushtrojnë përgjegjësinë e tyre”, tha Limaj.