Krasniqi për skandalin e mishit: Nuk mund të ekzistojnë paragjykime për vendin e origjinës

Deputeti nga rradhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ku po mbahet debat parlamentar lidhur me skandalin e mishit të prishur të importuar në Kosovë, deklaroi se përgjegjësia për importimin e këtij produkti në vend nuk qëndron vetëm tek Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë.

Lajme

18/04/2018 14:16

“Nga të gjitha të dhënat më shumë se 60% e mishit vije nga SHBA dhe Brazili, dhe nuk është që vetëm te na është tu u shit mish nga këto vende por është tu u shit në të gjithë botën”, deklaroi Krasniqi.

Krasniqi tha se përkundër që problemi kryesor qëndron me një prodhues belg, nuk duhet të ekzistojnë paragjykime për vendin e origjinës, transmeton lajmi.net.

“Jemi msu të flasim për rregullativën e BE-së, dhe mendojmë që kështu duhet të vazhdojë, mirëpo ne problemin kryesor e patëm në Evropë me një prodhues belg. Paragjykimet s’duhet ti kemi për vendin e origjinës por për kontrollin e mishit në Kosovë” shtoi Krasniqi.

Ai shtoi se problematika e tillë nuk është dicka e re për Kosovën ngase ky skandal lidhet me situatën e krijuar ndër vite në AVUK dhe në agjencitë e tjera të kontrollit të shëndetit.

“Kjo lidhet me situatën e krijuar ndër vite qoftë në AVUK qoftë me agjencitë tjera të shëndetit, ky skandal nuk është zbuluar në vendin e origjinës por në vendin e destinimit, hetimet atje kanë rrjedhë prej gjetjeve të AVUK”, sqaroi Krasniqi.

Krasniqi tha se është për tu shqetësuar fakti që pas publikimit të skandalit të mishit, një sasi e madhe e këtij produkti është konfiskuar në Kosovë, dhe në këtë mënyrë shtrohet pyetje se nëse ky mish ka hyrë me afat të skaduar, apo skadimi ka ndodhur gjatë qëndrimin nëpër pikat shitëse.

“Pas skandalit të mishit në orët e para kishim konfiskim të shumë sasive të mishit, dhe pyetja që shtrohet është se a ka skaduar ky mish pasi që ka hyrë në Kosovë, apo ka hyrë në atë mënyrë në vend”, shtoi ai.

Ndryshe, Krasniqi së bashku me deputeten e PDK-së, Ganimete Musliu, dhe Grupin e Deputetëve të Pavarur ishin inicues të këtij debati në Kuvendin e Kosovës./Lajmi.net/