Krasniqi: Ndryshimi në Maqedoni forcohet me fitoren e LSDM-së, Besës dhe Aleancës për Shqiptarët

Profesori universitar, Milazim Krasniqi po thotë se fitorja e LSDM-së, Besës, dhe Aleancës për Shqiptarët në Maqedoni, do ta forconte trendin e ndryshimit i cili ka nisur në zgjedhjet e fundit parlamentare.

Lajme

15/10/2017 13:30

Krasniqi ka deklaruar për lajmi.net se zgjedhjet lokale ose do ta rrisin trendin e ndryshimit, ose do të restaurojnë partitë e vjetra, duke aluduar në VMRO-në dhe BDI-në.

“Fillimisht mendoj që këto zgjedhje do të japin përgjigje se a do të triumfojë përfundimisht trendi i ndryshimit që filloi në zgjedhjet e kaluara parlamentare, ose do të ndodhë restaurimi i partive të vjetra. Nëse fitojnë LSDM-ja, Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarët do të forcohet trendi i ndryshimit dhe mund të bëhet i pakthyeshëm, nëse rikthehet fitorja e VMRO-së dhe BDI-së atëherë do të mund të ndodhë restaurimi i fuqive të vjetra”, u shpreh profesori i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës.

Sipas Krasniqit, trendi i ndryshimit te shqiptarët është më evident, duke shtuar se mundësia për një fitore të Lëvizjes Besa dhe të Aleancës për Shqiptarët është më e madhe.

“Po besoj që në bazë të asaj që kam përcjellur se trendi i ndryshimit te shqiptarët është më evident dhe mundësia që të fitojnë Lëvizja Besa dhe Aleanca për Shqiptarë është më e madhe. Nëse kjo do të ndodhë atëherë pritet të shihet se çfarë kapacitete administrative dhe qeverisëse kanë në të ardhmen”, u shpreh Krasniqi për lajmi.net

Publicisti dhe shkrimtari Krasniqi, ka folur edhe për gjendjen e komunave me shumicë shqiptare.

Sipas tij këto komuna kanë nevoja emergjente, pasi në 10 vitet e fundit koalicioni ndërmjet VMRO-së dhe BDI-së nuk kanë bërë ndonjë gjë.

“Ndërsa nevojat e komunave me shumicë shqiptare janë emergjente pasi për 10 vitet e kaluara VMRO-ja dhe BDI-ja në koalicion nuk kanë bërë ndonjë gjë për komunat dhe për rajonet shqiptare. Ato kanë ngelur me probleme të rënda me varfërinë, papunësinë, shërbimet e dobëta, prandaj kushdo që të fitojë në bllokun shqiptar do të ketë përpara punë të rënda dhe të vështira për të kompensuar kohën e humbur, dhe për të zgjidhur këto problemet urgjente për shqiptarët”, përfundoi Milazim Krasniqi.

Zgjedhjet lokale në Maqedoni po mbahen sot, kurse deri më tani procesi ka kaluar i qetë.

Tetova, Çairi, Gostivari, e Struga janë komunat ku partitë shqiptare atje pritet të zhvillojnë një garë të ashpër.

Përderisa në Kërçovë përveç BDI-së partitë tjera nuk kanë vendosur kandidatë, në mënyrë që kjo komunë të mos ketë gjasa tu rikthehet maqedonasve.

Këto janë zgjedhjet e para lokale në të cilat merr pjesë edhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit. /Lajmi.net/