Krasniqi: LDK s’mund ta rrëzojë Qeverinë as pas tre vjetësh

Memli Krasniqi beson se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka fuqi për ta rrëzuar Qeverinë e Kosovës, as tash e as pas tre vjetësh.

Lajme

17/07/2018 10:06

Kështu u është përgjigjur ai deklaratave të Shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hotit, i cili ka thënë se partia e tij po përgatit një strategji veprimi për javët dhe muajt e ardhshëm, me të cilën pretendojnë ta ndalin qeverisjen e Ramush Haradinajt.

“Grupi është i vendosur për opozitë të fuqishme dhe ndalje të kësaj keqqeverisjeje. Sjellja jonë në seanca do të jetë e qartë dhe e vendosur. Vullneti ekziston dhe mbështetja e qytetarëve nuk ka qenë asnjëherë më e madhe”, ka shkruar Hoti në llogarinë e tij në Facebook.

I pyetur nga Gazeta Metro lidhur me këtë deklaratë të Hotit, Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka lënë të kuptohet se nuk e marrin seriozisht këtë paralajmërim të LDK-së.

“Sa për strategjitë e LDK-së, kjo Qeveri nuk rrëzohet as tash, e as pas tre vjetësh. Impotenca e kësaj partie vërehet qartë në çakordimin që kanë në Kuvendin e Kosovës”, ka deklaruar Krasniqi.

Por, Krasniqi mendon se Qeverinë mund ta rrëzojë Ramush Haradinaj.

Haradinaj, në një intervistë për Tribuna Channel, mbrëmë, ka kritikuar Ministrin Financave, Bedri Hamza, lidhur me refuzimin për ta marrë pagën me rritje, ndërsa ka thënë se as Presidenti Hashim Thaçi dhe as Kryeparlamentari Kadri Veseli nuk mund t’i tregojnë atij përmes ministrave se çka duhet të bëjë ai.

“Asnjë Ministër nuk më kallëzon mua se çka të bëj. As Bedri Hamza dhe as askush. Hamza, 4 mijë euro e ka pasur pagën në BQK, mos të shet mend. As Kadria, e as Hashimi s’mund të më tregojnë, përmes ministrave, çka të bëj unë”, ka thënë Haradinaj.

Gazeta Metro ka kërkuar nga Shefi i GP të PDK-së, Memli Krasniqi, që ta komentojë këtë deklaratë të Haradinajt për Ministrin Hamza dhe aludimin se Kadri Veseli po i dërgon mesazhe me anë të tij.

Ai ka qenë i shkurtër në përgjigjen e tij.

“Kryeministri Haradinaj është temë tjetër. Ai mund ta rrezojë Qeverinë në çdo moment”, ka thënë Krasniqi.