Krasniqi: Kuvendi nuk është vonuar me Ligjin për veteranët

Jakup Krasniqi thotë se Ligji për veteranët e luftës mund të futet si pikë e rendit të ditës në javën e ardhshme, vetëm nëse komisionet e kryejnë punën e tyre. Ndërsa, Ismet Beqiri konsideron se Kryeministri Thaçi po bën fushatë me këtë ligj.

Lajme

24/03/2014 14:39

Ligji për veteranët e luftës nuk do të jetë në rend dite në seancën e radhës të Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari, Jakup Krasniqi, thotë se një gjë e tillë mund të ndodhë në javën e ardhshme, vetëm nëse komisionet përkatëse kryejnë punën e tyre.

“Komisioni përkatës funksional të mërkurën e ka dëgjimin publik. Pas dëgjimit publik është periudha e amandamentimit të Ligjit, pasi komisioni funksional e amandamenton ligjin, atëherë do t’i drejtohet komisioneve si ai për buxhet dhe financa, Komisionit për Legjislacion dhe Komisionit par Komunitete”.

“Nëse këto komisione janë të gatshme t’i kryejnë obligimet e veta, në seancën e radhës mund të jetë pjesë e seancës Ligji për veteranët”.

Deklaratat Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, se Kuvendi po e “zhagit” Ligjin për veteranët, kanë marrë përgjigjen e Kryeparlamentarit, Krasniqi.

Ai thotë se Kuvendi e ka shpejtuar këtë ligj paksa, por janë të tjerët që po e vonojnë.

“Kuvendi nuk është vonuar, bile mund ta them këtë ligj e ka shpejtuar paksa. Janë të tjerët që e kanë bërë vonesat, jo vetëm këtë vit, por edhe vitet tjera”.

Ndërsa, shefi i GP të PDK’së, Adem Grabovci, tha se do të japin maksimumin që ky Ligj të futet në rend të ditës për seancën e ardhshme. Sipas tij, po të jetë nevoja kjo do të shkojë edhe në procedurë të përshpejtuar.

“Pengesat për këtë Ligj kanë qenë tek harmonizimi me FMN’në dhe kjo është arseja e vetme që ky ligj është shtyrë deri më tani”.

“Kjo  pengesë më nuk ekziston, është bërë harmonizimi me FMN’në, është ndarë buxheti, por për shkak të procedurave, Ligji nuk u pa e udhës që të futet në rendin e ditës”.

Kurse, shefi i GP të LDK’së, Ismet Beqiri, thotë se Kryeministri Thaçi po bën fushatë me Ligjin për veteranët, megjithëse e sheh të nevojshme që statusi i tyre të rregullohet sa më parë.

“Të akuzosh Kuvendin se e ka vonuar procedurën është absurde, është e papranueshme dhe nuk është e vërtet”.

“Kurdo që kishte ardhur ky ligj nga Qeveria, ne si Grup Parlamentar do ta përkrahim ashtu si do ta përkrahim edhe kur t’i vjen radha tani pas kalimit të procedurave”.

“Është shumë e qartë ju e keni parë që thuhet të bëhet sa më shpejtë, ai bëhet kinse nuk e dinë sesi janë procedurat, por është shumë e qartë që është një fushatë e pastër politike”.