Krasniqi krahason referendumin e Greqisë me Gjykatën Speciale

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi - aktualisht kryetar i Këshillit të Përgjithshëm të Nismës për Kosovën - thotë se ish shefi i tij në PDK, Hashim Thaçi, dhe kryetari i LDK Isa Mustafa, është dashur të japin dorëheqje pas dështimit së të votohet në Kuvendin e Kosovës Gjykata Speciale.

Lajme

06/07/2015 22:41

“Nëse, po e them kushtimisht, liderët e koalicionit janë të bindur se kjo çështje ka qenë e rëndësishme dhe jetike për Kosovën, për zhvillimin e demokracisë së Kosovës, ata është dashur të punojnë me deputetët e tyre dhe nëse kanë punuar me deputetët dhe deputetet e kanë marrë atë vendim që e kanë marrë. Ata do të duhej të dorëhiqeshin. Kjo do të ishte mënyra më demokratike e përgjigjes në votimin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës” , tha Krasniqi për RTV Dukagjinin.

Si i tillë, Amendamenti 24 i Kushtetutës së Kosovës që hap rrugë themelimin e Gjykatës Speciale, për Krasniqin nuk ka asnjë gjasë që të riprocedohet. Në të kundërtën, sipas tij, dy liderët e partive në koalicion do t’ia jepnin edhe një goditje të rend sistemit të demokracisë në vend.

“Kështu si është, nuk ka shanse të rikthehet në procedura demokratike. Prandaj, as nuk duhet të tentohet të rikthehet. Çka nëse p.sh. zgjedhet Qeveria dhe tash dikush është i pakënaqur me zgjedhjen e Qeverisë dhe e rikthen edhe njëherë në Kuvend? Këto çështje nuk rikthehen kështu! A mundet p.sh. të rikthehet referendumi i kryer dje në Greqi?”, ka thënë Krasniqi.

Duke komentuar deklaratat e ish- shefit ligjor të UNMIK-ut, Aleksander Borg Olivier, i cili ka thënë se OKB nuk do ta formojë Gjykatën Speciale për arsye se Kina dhe Rusia nuk dëshirojnë të krijojnë precedentë, Krasniqi tha se kërcënimet të tilla kanë qenë më shumë presion direkt mbi deputetët e Kuvendit të Kosovës.