Krasniqi i kundërpërgjigjet Daçiqit: Ju nuk keni asnjë vlerë evropiane!

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i është kundërpërgjigjur reagimit të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiq, që ky i fundit ka bërë lidhur me ndërprerjen e ndeshjes së mbrëmshme mes Serbisë dhe Shqipërisë.

Lajme

15/10/2014 13:16

Krasniqi ka thënë se nuk është i habitur me mospranimin e fajit për ndërprerjen e ndeshjes nga ana e Daciqit, pasi siç ka thënë ai Serbia ende përpiqet të fsheh edhe krimet dhe përgjegjësinë në luftërat shkatërrimtare në Jugosllavi.

Sipas Daçiqit akti i valëvitjes së flamurit të Shqipërisë së Madhe me dy ikonat kombëtare, Ismail Qemailin e Isa Boletinin e ka provokuar palën serbe, dhe se tani pret se si do të reagojë Bashkimi Evropian dhe UEFA.

Por ish-kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se Serbia, e udhëhequr nga nxënësit dhe bashkëpunëtorët e Millosheviqit, nuk duhet të merr rrugëtim kah integrimi në vlerat evropiane.

Lexojeni të plotë shkrimin e tij të publikuar në Facebook:

“Daçiq: “Serbia nuk mban asnjë përgjegjësi për ndërprerjen e kësaj ndeshje”.

Po Daçiq, Serbia nuk mban përgjegjësi për shkatërrimin e Jugosllavisë! Nuk mban përgjegjësi për politikat shfarosëse të gjenocidit të ndjekura nga Serbia e Federata Jugosllave në Kosovë, nuk mban përgjegjësi për luftërat shkatërrimtare të zhvilluara në Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë. Serbia nuk është fajtore për shovinizmin e egër që kultivohet nga udhëheqësit serb edhe sot e kësaj dite. Serbia nuk ka faj pse nuk ka kuraje ta pranoj botërisht fajin për gjenocidin e ushtruar në hapësirat e ish Jugosllavisë. Serbia, nuk ka faj për barbarinë e ushtruar mbi lojtarët shqiptar dhe jo vetëm nga huliganet e shfrenuar, por edhe nga ata që duhet t’i mbronin lojtarët e ekipit të Shqipërisë.

Sipas logjikës suaj: Flamuri i shqiptarëve dhe i Shqipërisë nuk benë të valoj mbi Beograd, ndërsa flamuri i Serbisë mund të valoj gjithandej nëpër Kosovë?!

Ju që nuk mund ta pranoni fajin e shkaktuar në një ndeshje futbolli, kur do ta pranoni fajin për gjenocidin e shkaktuar kundër të gjithë jo serbëve në hapësirat e ish Jugosllavisë? Ju nuk mund ta përmbushni asnjë vlerë evropiane.

Ne jemi të bindur se Serbia, e udhëhequr nga nxënësit dhe bashkëpunëtoret e Millosheviqit, nuk mund të merr dhe as duhet të merr rrugëtimin kah integrimi në vlerat evropiane”, shkroi Krasniqi.