Krasniqi-Haxhiut: Kërkoni nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, PSD-në e keni të gatshme

Deputeti i Partisë Socialdemokrate të Kosovës, Frashër Krasniqi i ka quajtur hipokrite akuzuat e  deputetes së Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e cila ka thënë se PSD po e mbanë Qeverinë Haradinaj.

Lajme

23/07/2018 20:33

Krasniqi ka thënë se ata janë duke e pritur Vetëvendosjen që ti jap nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë dhe për debatin në Kuvend, i cili nuk do t’i lejonte Thaçit ta udhëheq dialogun.

Ai me anë të një postimi në Facebook, i është drejtuar Vetëvendosjes që t’i kërkojë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë dhe PSD-në do ta kenë të gatshme, transmeton lajmi.net.

Postimi i plotë i tij:

Albulena Haxhiu paska vazhduar akuzat hipokrite se PSD po e mban Qeverinë Haradinaj.

Ne ende jemi duke e pritur VV-në që t’na i jep ose kërkojë nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë dhe nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme ku do të pamundësonim drejtimin e dialogut nga Hashim Thaçi.

Ligjet që u votuan sot, ishin ligje për të mirën e qytetarëve dhe jo mbështetje e Qeverisë. Ato ligje i votoi edhe VV, gjë që shpërfaq edhe më hapur mashtrimin dhe hipokrizinë e tyre kur i akuzojnë të tjerët se po ia votojnë qeverisë ligjet.

Kërkoni ose jepni nënshkrimet për rrëzimin e Qeverisë, dhe PSD-në e keni të gatshme! Kërkoni ose jepni nënshkrimet për ta parandaluar drejtimin e dialogut prej Thaçit, dhe PSD-në e keni të gatshme!

Përndryshe, çdo akuzë e keni mashtrim e çdo shpifje po e bëni për ta fshehur të vërtetën që ju s’po doni zgjedhje, dhe që ju jeni dorëzuar para Hashim Thaçit./Lajmi.net/