Krasniqi dhe Hamiti: Kryetari i Kuvendit i takon PDK-së (FOTO)

Si u bë që në mbledhjen konstituive të përbërjes së fundit të Kuvendit të Kosovës, pozitën e Kryetarit të Kuvendit e morri partia që kishte fituar më së shumti vota në zgjedhje? Pse Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, dhe ish-anëtari i kryesisë, Sabri Hamiti u pajtuan që pozita e kryeparlamentarit i takon partisë që ka fituar më shumë vota?

Lajme

10/07/2014 16:36

Ditëve të fundit debati publik është përqendruar tek konstituimi i Kuvendit si dhe zgjedhja e kryetarit të ardhshëm të këtij institucioni. Kjo pozitë është kyçe për marrëveshjen e partive opozitare LDK-AAK dhe Nisma të cilat janë pajtuar që këtë post ta merr LDK, përkitazi Isa Mustafa.

Sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit kjo pozitë i takon një përfaqësuesi të grupit parlamentar më të madh dhe prandaj, PDK është shprehur që kryetari i kuvendit i takon kësaj partie.

Pavarësisht prej interpretimit që Gjykata Kushtetuese i bëri Kushtetutës duke përcaktuar se cila parti mund të vlerësohet si fituese, koalicioni opozitar po synon që ta kontestojë pretendimin e PDK-së dhe është shprehur se do të regjistrohet që në fillim si grup parlamentar unik në mënyrë që të shtjerë në dorë pozitën  e kryetarit.

Sipas të gjitha gjasave, beteja për të siguruar postin e kryetarit të kuvendit ka për të nisur ditën e shtunë, kur edhe është parashikuar takimi i mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me përfaqësuesit e partive parlamentare. Kjo mbledhje ka për detyrë përgatitjen për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit.  Mirëpo konstitucionalistë dhe analistë të shumtë kanë thënë se për të sqaruar situatën duhen marrë në konsideratë precedentët, prandaj është me shumë rëndësi të shihet se çfarë ka ndodhur në të njëjtën mbledhje të organizuar menjëherë pas zgjedhjeve të kaluara parlamentare.

Lajmi.net ka siguruar proces-verbalin e Mbledhjes së kryesisë së Kuvendit me përfaqësuesit e partive parlamentare të datës 10.02.2011, ku del qartazi nga diskutimet e bëra dhe nga vendimi i marrë në mënyrë unanime, ku thuhet se  kryetari i Kuvendit i takon Partisë Demokratike të Kosovës, pasi të gjithë të pranishmit u pajtuan që për bazë merreshin vetëm rezultatet e certifikuara zgjedhore.

Proces-verbali tregon se gjatë diskutimeve, Kryetari i atëhershëm i Kuvendit të Kosovës, sot i dyti subjektit politik, Nisma për Kosovës, Jakup Krasniqi, disa herë ka këmbëngulur që renditja e partive “varet nga certifikimi që ka bërë Komisioni Qendror Zgjedhor”.  Në një ndërhyrje të Blerim Shalës së AAK-së, ky i fundit e miraton këtë qëndrim duke thënë që “rezultati është ky që është, kështu që në rregull është kjo”.

Në një moment, gjatë mbledhjes, Krasniqi kërkoi edhe komentin e Nexhat Dacit, meqenëse kishte përvojë të gjatë parlamentare, dhe ky i fundit përgjigjet: “Unë mendoj që propozimi juaj kryetar, dhe atë që e thanë përfaqësuesit e partive politike, duhet të jetë definitive. Rezultatet e certifikuara duhet të vlejnë derisa të zgjasë mandati, përndryshe në qofte se e lëmë mundësinë e hapur këtu, ne në një mënyrë iniciojmë “trafikimin” e deputetëve”.

Në po të njëjtën linjë është shprehur edhe nënkryetari i parë i LDK-së, Sabri Hamiti i cili shprehimisht ka thënë : “Tash po flas si anëtar i Kryesisë së Kuvendit, normalisht, sepse Kuvendin e kemi në këtë rast, kështu si e kemi, dhe po bëhem krejt i qartë. Me Kushtetutë, me Rregullore të Kuvendit, u tha dhe u nënvizua nga kryetari që kryetarin e Kuvendit e jep partia që ka fituar më së shumti vota, që i bie PDK-ja, dhe tri partitë e para japin nga një nënkryetar, që i bie PDK-ja, LDK-ja dhe Vetëvendosje dhe dy nënkryetarë që i jep komuniteti serb dhe komunitetet e tjera. Çdo gjë është e qartë…”.

Mbështetjen tek certifikimi i KQZ-së e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, i cili përmend Rregulloren e Kuvendit dhe thotë se “duke qenë se lëvizja Vetëvendosje është certifikuar prej KQZ-së si forca e tretë politike, mendoj që është e drejtë”.  Në ndërhyrjet e tyre gjatë mbledhjes, kanë shprehur miratimin për mbështetjen tek certifikimi i rezultateve të nxjerra nga KQZ edhe Mahir Yagcilar, i cili në mbledhje ishte përfaqësues i Grupit të Komuniteteve “6+” si dhe Sllobodan Petroviq.  Në vijim të mbledhjes proces-verbali tregon se të pranishmit kanë diskutuar mbi agjendën e mbledhjes konstituive dhe datën dhe më në fund janë dakorduar për rendin e ditës dhe e caktuan datën e mbledhjes për 24 shkurt 2011. (lajmi.net)

Ju sjellim edhe faqet e cituara nga transkripti:

(w495h540) Faqe 4 e t(w495h540) Faqe 7 e t