Krahasimi i të pakrahasueshmëve

Më 10 prill të 2016-s, zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Serbisë shpalli botërisht propozimin për mënyrën e normalizimit të marrëdhënieve mes shtetit të Serbisë dhe atij të Kosovës.

Opinion

18/04/2016 11:49

Thelbi i propozimit ishte konkret dhe i parashtruar shkurt dhe qartë: Rruga e pajtimit Serbi-Kosovë të ndjekë trasenë dhe motivimin e pajtimit Francë-Gjermani.

Sugjerimi, që vjen nga një politikan postkomunist ballkanas dhe që bart edhe dimensione ndërkombëtare për hir të postit në OSBE-së, nuk është vetëm i padiskutueshëm, por edhe absurd në vlefshmërinë e tij për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kurse propozimi i Ivica Daçiq-it, figurës së dytë politike të administratës së Beogradit, e anashkalon logjikën mbështetëse të përdorimit të krahasimit sepse rekomandohet si rrugëdalje e “ngërçit” Kosovë-Serbi modeli i tejkalimit të “armiqësisë” historike, Francë-Gjermani.

Po çfarë kanë të ngjashme historikisht dhe realisht raportet mes këtyre dy çifte-shtetesh?!

Mbështetur në aq sa di për historinë evropiane mund të ndajë disa veçori të marrëdhënieve mes dy vendeve në shek. XIX- XX.

* Në dekadën e parë të shek. XIX Napoleoni i pushtoi shtetet dhe principatat gjermane, që u bashkuan në një shtet të vetëm rreth 50 vjet më vonë.

* Në vitin 1870, shteti gjerman u sulmua nga Franca, por u mund prej tij dhe Parisi u kërcënua të pushtohej prej gjermanëve.

* Në shek. XX, në të dy luftërat e Mëdha Botërore ishte Gjermania që i hapte luftë Francës dhe e detyronte të kapitullonte, në Luftën e Dytë Botërore.

* Në shek. XX ishin këto dy shtete dinjitoze dhe me kontribute të padiskutueshme në historinë, shkencën, kulturën, politikën, ekonominë dhe arsimin në Evropë dhe në botë, që u bënë dhe janë kolona vertebrale e Bashkimit Evropian.

U zgjata me dashje në këtë parashtrim për të vënë në dukje pangjashmëritë e raporteve Francë-Gjermani me ato Kosovë-Serbi.

* Në fillim të shek. XIX, kur Serbia fitoi pavarësinë nga Perandoria Otomane, Kosova mbeti “vilajet”, me kufij të përcaktuar brenda tërësisë territoriale perandorake.

* Në çerekun e fundit të 1800-s, Serbia dhe Mali i Zi, dy shtete fqinje sllave me ne, shfrytëzuan fitoren e Rusisë ndaj Turqisë për të aneksuar territore të konsiderueshme shqiptare.

* Shek. XX shënon dy luftërat ballkanike, ku shtetet fqinje me trevat shqiptare hyjnë në luftë me Perandorinë Otomane jo vetëm dhe thjesht për të çliruar territoret e tyre, por kryesisht për të ndarë mes vete hapësirat “pa Zot” të shqiptarëve.

* Vendimet e Konferencës së Londrës (1913) dhe të Konferencës së Paqes në Paris (1920) i njohën dhe i dhanë Kosovës “statusin” e kolonisë së Serbisë. Këtë status ne e përjetuam deri në fund të shek. XX, kur me luftën tonë në vazhdimësi gati njëshekullore për liri dhe me ndihmën e paçmueshme të NATO- s fituam lirinë, u shpallëm, u njohëm botërisht dhe veprojmë ndërkombëtarisht si shtet.

Nga sa më sipër besoj se gjithkush, çdo lexues mund ta bëjë lehtësisht krahasimin mes Kosovë-Serbi dhe Gjermani-Francë. Sepse, më së paku dy diferenca janë tejet të qarta e domethënëse:

Së pari, si Franca dhe Gjermania kanë qenë subjekte prezentë dhe vepruese në zhvillimet politiko-ekonomiko-shkencore dhe kulturore në Evropë dhe botë në vazhdimësi nga mesjeta e deri më sot. Janë ndeshur historikisht si të barabartë, ndaj dhe arritën pajtimin dhe bashkëpunimin si të barabartë. Pajtimi, mirëkuptimi e bashkëpunimi mes të barabartëve është i kuptueshëm dhe i pranueshëm. Por a është i vlefshëm ky model për normalizimin e marrëdhënieve mes një metropoli dhe një kolonie?!

Së dyti, Daçiq propozon modelin franko-gjerman për normalizimin e raporteve mes dy vendeve, duke deklaruar se Republika e Kosovës mund të pranohet në UNESKO nëse merret vesh me Serbinë.

Sugjerimi për pajtim nga qeveritari i lartë serb bëhet kur jo vetëm qëndrimet zyrtare, por edhe deklarimet publike për vendosmërinë e Beogradit për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës janë të vazhdueshme dhe kategorike.

Falsiteti i këtij sugjerimi e krahasimi është dukshëm i qartë, kur ende as në medie dhe as në vorbullën e diskutimeve politike nuk ka dalë në “dritë” një propozim për nismën e ndryshimit të Kushtetutës së Republikës së Serbisë, që vazhdon ta mbajë “të prangosur ligjërisht” Republikën e Pavarur të Kosovës, të njohur nga më shumë se gjysma e anëtarëve të OKB-së, me sloganin absurd: “Kosova është Serbi”!?

Ndryshoni Kushtetutën! Mos na pengoni të bëhemi siç e meritojmë, ndërkombëtarisht të barabartë! Ndryshoni sjelljen, mos u sillni si padronë apo dhurues; si tutorë dhe edukatorë. Bëhuni realist dhe na njihni si shtet! Vetëm pas këtij vendimi në dobi të të dy shteteve fqinje, që, me dashje apo detyrim, kemi jetuar bashkë gati 100 vjet, mund dhe me siguri do të gjendet një zgjidhje optimale pozitive dhe e vlefshme përballë Ballkanit Perëndimor në raportet Kosovë-Serbi.

 

(Autori është nënkryetar i Kuvendit të Kosovës)