Krahasim i jashtëzakonshëm i Ambasadorit rus në Tiranë

Ambasadorit rus në Tiranë, Leonid Abramov, ndërhyrjet ushtarake të Ukrainës në lindje të vendit, ja kujtojnë periudhën e Milosevicit. Ai thotë se shqiptarët e kuptojnë si askush tjetër, atë që po ndodhë në Krime.

Lajme

18/04/2014 20:36

Ambasadori rus në Tiranë ka thënë se ushtarët e Kievit në lindje të Ukrainës i kujtojnë ushtarët e Milosevicit në Kosovë.

“Ushtarët e Kievit në lindje të Ukrainës m’i kujtojnë ushtarët e Milosevic-it në Kosovë, në vitin 1998”, është shprehur Ambasadori Leonid Abramov, në emisionin A1 Report të Erjona Rusit.

“Ajo që ka filluar të ndodhë atje, mua personalisht, më kujtojnë ngjarjet e vjeshtës së vitit 1998 në Kosovë. Atëherë, pas daljes së parë publike të UÇK-së, Milosevic kishte ndërmarrë masa jo-proporcionale. Bëhej fjalë për dërgimin e batalioneve të tëra të ushtarëve, si masë ndëshkuese. Rezultati ka qenë diametralisht i kundërt. Faktikisht, atëherë ka filluar lufta”.

Ambasadori Abramov ka përsëritur edhe një herë krahasimin e Krimesë me Kosovën, duke u thirrur në të drejtën e popujve për vetëvendosje.

Ai thotë se shqiptarët kuptojnë më mirë se të gjithë atë se çfarë po ndodhë në gadishullin e Krimesë, që sipas tij, edhe vet ukrainasit e shohin si pjesë të Rusisë.

Gjatë intervistës për A1 Report,  Abramov ka mohuar akuzat e Kievit se pas trazirave atje fshihet Moska zyrtare, duke thënë se ukrainasit duhet të zgjedhin vet problemet e tyre, por gjithashtu ai mendons e kriza mund të zgjidhet me një dakordim në mes të Rusisë, Europës dhe SHBA-ve.

“Problemet e Ukrainës duhet të zgjidhen nga vetë ukrainasit. Ky është qëndrimi ynë. Në qoftë se edhe Rusia, edhe Evropa, edhe SHBA do të dalin në një konkluzion unik nga kriza, nuk kam asnjë pikë dyshimi se kriza do zgjidhet”, ka thënë ambasadori rus në Tiranë, Leonid Abramov.