KQZ pritet t’i certifikojë rezultatet pas një jave

Komisioni Qendror i Zgjedhje (KQZ) parasheh që certifikimi i rezultateve të Zgjedhjeve Parlamentare, të bëhet javën e ardhshme, në rast se nuk do të ketë ndonjë rinumërim apo rivotim.

Lajme

27/06/2014 16:57

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se sot rreth orës 3, ka përfunduar afati për ankesa dhe, sipas saj, PZAP ka afat 72 orë që t’i shqyrtojë ato.

Në rast se nuk gjendjet ndonjë parregullsi, atëherë, sipas Dakës, pas shtatë ditësh, KQZ do të bëjë certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 8 qershorit.

“Sot diku rreth orës 3:00, përfundon afati 24 orësh për ankesa. Dhe PZAP i ka 72 orë që të jap përgjigje në këto ankesa. Dhe pastaj ata të cilët i marrin këto përgjigje në ankesa, kanë mundësi që përsëri të ankohen në Gjykatën Supreme, kundër vendimeve të PZAP-së, që i bien dhe 24 orë dhe Gjykata Supreme i ka dhe 72 orë që të jap përgjigje në ankesat eventuale. Kështu që nëse e llogarisim i bien që edhe shtatë ditë, nëse nuk ka ndonjë rinumërim apo ndonjë rivotim, nga sot shtatë ditë ne i certifikojmë rezultatet”, ka pohuar Daka.

Ndërsa, e pyetur se a beson se mund të ketë ndonjë vendim nga PZAP, për ndonjë rinumërim tjetër, ajo tha se në qoftë se ka fakte të cilat argumentojnë se kanë bazë për rinumërim, PZAP do t’i obligoj ata që të bëjnë rinumërimin e ndonjë kutie tjetër.

“Nuk mund të paragjykoj, se çfarë argumentesh kanë ata të cilët i kanë paraqitur ankesat e tyre. E gjitha varet nga ajo se sa kanë argumente dhe sa mund të argumentojnë se një kuti duhet të rinumërohet. Mos harroni se tash ne i kemi rinumëruar diku rreth 460 kuti. Kështu që nga atome siguri se do të ketë ndonjë ankesë, e cila ka të bëjë me këto kuti që janë rinumëruar. Në qoftë se kanë fakte të cilat argumentojnë se kanë bazë për rinumërim, ndoshta edhe PZAP do të na obligoj të bëjmë rinumërimin e ndonjë kutie tjetër”, tha ajo.

Ndryshe, në mbledhjen e mbajtur Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka shqyrtuar projektet për vitin 2015-të, si dhe ka miratuar Draft-Planin e buxhetit të KQZ-së, 2015-2017. (Kosova Press)