KQZ-ja, në duart e Gjykatës Kushtetuese

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese për emërimin e anëtarëve të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Kështu ka bërë me dije për gazetën “Epoka e re” një burim brenda Presidencës.

Lajme

17/07/2018 10:00

Sipas këtij burimi, Zyra e Presidentit ka kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me numrin e nominimeve të subjekteve politike për anëtarë të KQZ-së, por deri më tani nuk ka marrë përgjigje.

“Kemi kërkuar mendimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me të drejtën e subjekteve politike/grupeve parlamentare për nominimin e anëtarëve të KQZ-së. Jemi në pritje të vendimit të gjykatës dhe në momentin që ta marrim përgjigjen do të vazhdojë procesi i emërimit të anëtarëve të rinj të KQZ-së”, ka thënë ky burim.

Përderisa zyrtarët e partive në pushtet e shohin si të drejtë këtë veprim të presidentit, nga ana tjetër zyrtarët opozitarë e vlerësojnë si veprim për ta prolonguar procesin.