KQZ gati

KQZ diskuton raportin e OSBE’së mes kritikash e falënderimesh. Materiali sensitiv është shpërndarë nëpër qendra të votimit.

Lajme

02/11/2013 13:55

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vlerësuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve lokale që do të mbahen nesër.

Në mbledhjen e sotme, një ditë para votimeve, anëtarët e KQZ’së diskutuan për raportin e OSBE’së për procesin përgatitor në Veri të vendit, të cilin Betim Gjoshi, anëtar në KQZ, e ka quajtur më shumë si informatë se si raport, ndërsa anëtarë të tjerë e kanë quajtur si të vonuar, duke kritikuar po ashtu komunikimin me këtë institucion.

Përkundër kësaj, Kryesuesja e KQZ’së Valdete Daka ka falënderuar OSBE’në për punën që po bënë në rolin e lehtësuesit.

“Raporti nga OSBE, të cilin e kemi kërkuar lidhur me atë se çka është bërë me atë deri më tani nga OSBE që e ka pasur rolin e lehtësuesit në këtë proces”.

“Unë falënderoj OSBE’në për këtë raport. Falënderoj edhe për angazhimin e tyre, të cilin e ka bërë në pjesën veriore ashtu siç është konform marrëveshjes së 19 prillit, dhe natyrisht konsideroj se është bërë një punë e madhe edhe në pjesën veriore të Kosovës”, ka thënë Daka.

Sekretariati i KQZ’së, ka thënë se ka përfunduar pothuajse i gjithë procesi i shpërndarjes së materialit sensitiv. Po ashtu, Qendra e Numërimit dhe Rezultateve është e përgatitur për ta filluar punën e vet.