KQZ edhe për një kohë jofunksionale, Kushtetuesja s’ka kuorum për ta shqyrtuar lëndën e presidentit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), do të vazhdojë të jetë jofunksional edhe për një kohë. Ky institucion ka mbetur jofunksional që nga fundi i marsit të këtij viti, kur anëtarëve të KQZ-së u ka skaduar mandati.

Lajme

30/07/2018 23:29

Paqartësia  për ndarjen e anëtarëve të KQZ-së, që ka pasur presidenti i vendit, ka bërë atë që t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me ndarjen e mandateve në KQZ.

Në Gjykatën Kushtetuese kanë pranuar që lënda tashmë është dërguar nga presidenti Thaçi, por nuk dihet se kur do të shqyrtohet, pasi kjo gjykatë nuk ka kuorumin e nevojshëm për ta shqyrtuar.

“Kjo kërkesë tashmë është regjistruar në regjistrin e lëndëve. Lënda do të shqyrtohet pasi që Gjykata të ketë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje”, thuhet në përgjigjen e gjykatës për lajmi.net.

Ndryshe partitë politike kanë dërguar në Presidencë emrat e propozuar për anëtarë të KQZ-së, përpos AAK-së e Nismës, që si pjesë e koalicionit me PDK-në, do ta kenë një përfaqësues në KQZ.

Presidenti Thaçi është kritikuar nga shoqëria civile për mos emërim të anëtarëve në KQZ.

Krasniqi kohë më parë ka treguar  ndarjen e anëtarëve në KQZ sipas partive politike.

Sipas formulës së ndarjes së pozitave në KQZ, të drejtë të nominimit të anëtarëve kanë:

– Koalicioni PAN dy anëtarë nga katër sa kishte deri më tani;

– Koalicioni LDK-AKR dy anëtarë nga një sa kishte (nëse nuk kanë marrëveshje të brendshme, të dy anëtarët mund të jenë nga LDK);

– Lëvizja Vetëvendosje dy anëtarë nga një sa kishte; dhe

– Katër anëtarë të tjerë komunitetet joshumicë (serb, turk, boshnjak dhe ashakali)./Lajmi.net/