KPM-ja hap tender për kompaninë që ka akuzë për krim të organizuar

Komisioni i Pavarur i Mediave për herë të parë po synon që me tender të hapur të përzgjedhë kompaninë që do t’i mirëmbajë pajisjet e monitorimit të medieve.

Lajme

06/04/2015 08:32

Këtë tender e ka hapur sa për t’i plotësuar kushtet ligjore, sepse me kushtet e vendosura në “njoftimin për kontratë” këtë tender me vlerë të madhe mund ta realizojë vetëm kompania “Jolix”, e cila e kishte implementuar projektin në vlerë 1.4 milionë euro për monitorimin e medieve, shkruan Koha Ditore.

Në vitin 2013, KPM-ja kontratën dyvjeçare për mirëmbajtjen e pajisjeve ia kishte dhënë kompanisë “Jolix” pa tender publik. “Jolix”, me pronar, Astrit Pira, i ka përfituar 187 mijë euro gjatë këtyre dy viteve për mirëmbajtjen e pajisjeve, të cilat i kishte montuar.

Por, tashmë që pronari i kompanisë “Jolix”, Astrit Pira, është edhe zyrtarisht i akuzuar nga Prokuroria Speciale për skandalin me armë, KPM-ja ka vendosur që të ketë tender të hapur publik.

Edhe pse me tender të hapur, KPM-ja e ka kufizuar konkurencën, duke kërkuar që kompanitë që dëshirojnë të hyjnë në garë të kenë autorizim të prodhuesit të pajisjeve. E autorizimin që janë të instaluara nga KPM-ja e ka kompania që e ka realizuar këtë projekt “Jolix”. KPM-ja e ka bërë këtë tek përshtatja profesionale, si kusht për të hyrë në gatrë për këtë tender e ka vendosur edhe autorizimin e prodhuesit.

Fikrete Çoçaj, zyrtare e lartë në KPM nuk është përgjigjur se pse nëse kushti për të pasur autorizimin e prodhuesit kufizon konkurencën. Por, ajo ka konfirmuar se tenderin e parë në vlerë prej 1 milion e 400 mijë eurosh e ka fituar kompania “Jolix”, si përfaqësuese e kompanisë gjermane “Artech”.

“Kompania që ishte përzgjedhru nga Komisioni Evropian, zyra në Prishtinë për realizimin dhe implementimin e këtij projekti ka qenë “Artech”, me seli në Gjermani, përmes përfaqësuesit të saj për Kosovë, kompanisë NTP’Jolix’”, ka thënë Çoçaj, shkruan sot Koha Ditore.