KPK miraton rregulloren për media, pa e konsultuar shoqërinë civile

Këshilli Prokurorial i Kosovës i ka miratuar disa pika të rendit të ditës ndër të cilat edhe rregulloren për komunikim me publikun, e cila nuk është konsultuar me të gjithë akterët. Kurse, Asociacioni i Gazetarëve nuk i ka kthyer përgjigje.

Lajme

27/05/2016 13:10

Kryesuesi i Këshillit Priokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, ka thënë se kjo rregullore e përcakton komunikimin e institucionit të Prokurorisë me publikun.

“E kemi rregulloren për komunikim publik e cila e përcakton komunikimin publik, përgjegjësitë dhe planifikimin dhe zhvillimin e fushave të komunikimit publik, të komunikimit të përgjithshëm, politikat dhe aktivitetet e sistemit prokurorial të Kosovës”, tha ai.

Ndërkohë, Bahri Hyseni e sqaroi më shumë përmbajtjen e rregullores për të cilën tha se është punuar me miqtë ndërkombëtarë dhe menaxherët e zyrave që përcaktohen nga kjo rregullore do ta bëjnë më transparente punën e institucionit të Këshillit Prokurorial dhe zyrës së Prokurorit të Shtetit.

“Parimet kryes ore që i përmban rregullorja, e para është që konsiderojmë që parimet janë parime të Këshillit të Evropës dhe kemi marrë të gjitha si obligim dhe i kemi fut në rregullore që nënkupton se këto parime mbështeten në parimin e transparencës, në parimin e dhënies së mundësisë qytetarëve, mediave në çdo kohë t’iu ofrojmë qasje që në mënyrë më të lehtë ta marrin informacionin nga institucionet e përmendura dhe mbi të gjitha punë për informacione për punën tonë operative që e kemi kur është fjala për prokurorin e shtetit por asnjëherë pa e dëmtuar procesin hetimeve sepse legjislacioni na obligon që ne t’i ruajmë hetimet”, ka thënë ai.

Hyseni ka thënë se këtë rregullore e kanë drejtuar edhe në komunitetin e gazetarëve, por nga ta nuk kanë marrë asnjë koment.

“Është e rëndësishme që këtë rregullore ia kemi përcjellë edhe AGK-së, nuk kemi marr ë ndonjë koment ndoshta edhe për faktin që i kanë pas zgjedhjet, ka rastis me qenë koha kur i kanë pas ndryshimet ky institucion, por e rëndësishme që iu kemi drejtu këtij institucioni por nuk kemi marrë komente, do me thënë nuk kemi pranu komente dhe ko është e tëra”, ka deklaruar ai.

Mirëpo, miratimin e kësaj rregulloreje pa konsultimin edhe të shoqërisë civile dhe të akterëve tjera në shoqëri, e ka kundërshtuar drejtori i Institutit për Drejtësi, Betim Musliu. Ai ka thënë për KosovaPress se është shqetësuese mënyra e hartimit të kësaj rregulloreje.

“Është tejet shqetësuese mënyra e hartimit dhe përpilimit të legjislacionit sekondar nga ana e KPK-së, të cilin e ka kritikuar Instituti i Kosovës për Drejtësi për shkak të mungesës së transparencës dhe mungesës së gjithëpërfshirës në gjithë këtë proces që është shumë i rëndësishëm. Në këtë rast e kemi miratimin e një prej rregulloreve bazike për funksionimin e KPK-së dhe komunikimit me publikun që është rregullorja për komunikim me publikun, e cila nuk është konsultuar me të gjithë akterët. Unë e konsideroj se është jashtëzakonisht shqetësuese kjo mënyrë e hartimit të legjislacionit sekondar e cila thjesht e bënë këtë institucion jo transparent dhe jollogaridhënës para publikut”, ka thënë ai.

Në KPK janë miratuar edhe disa pika të rendit të ditës, si ajo për Nisinë Ndërlidhëse për Përgjime, ku Bahri Hysenaj tha se kjo rregullore është kthyer në KPK me të vetmin qëllim që të largohen tri paragrafe në nenin nr.12, të cilat janë të ngjashme me ligjin për të njëjtën çështje, në mënyrë që të mos ngarkohet rregullorja.

“Anëtari i KPK-së, njëherit edhe kryeprokurori i shtetit i ka p as disa vërejtje rreth shkatërrimit të dokumentacionit, të cilat vërejtje janë paraparë me ligjin për Komunikimet Elektronike mbi bazën e të cilëve jemi obligu si këshill me nxjerrë këtë rregullore, andaj ne e kemi konsideruar që këto vërejtje janë parapara në ligj dhe ndoshta është mirë që t’i eliminojmë nga rregullorja për faktin që për këtë çështje e kemi shty nuk e kemi aprovu rregulloren sepse nuk ka pas vërejtje tjera”, ka thënë ai.

KPK hoqi nga rendi i ditës raportin e koordinatorit kombëtar për luftimin e krimeve ekonomike për periudhën tetor-dhjetor 2015 dhe janar-mars 2016, në mungesë të raportuesit të kësaj pike, si dhe pikën nr. 9: përcaktimi i pozitave për avancim dhe transferim të prokurorëve në prokurori./kp