Kozniku: Kosova mund ta ketë një ekip shumë të fortë

Ardian Kozniku është i bindur se Kosova mund ta ndërtojë një Përfaqësuese të fortë në të ardhmen, pasi të pranohet në FIFA e UEFA. Legjenda e futbollit është i gatshëm ta ndihmojë për vendlindjen e tij.

Sport

08/06/2014 12:14

Ardian Kozniku mendon se Kosova mund ta ketë një skuadër të fortë në të ardhmen, por pasi të pranohet në FIFA dhe UEFA.

Legjenda e futbollit kosovar po qëndron për pushime në vendlindje, ndërsa ka gjetur kohë të flasë për futbollin në vend.

“Momentalisht na mungojnë lojtarë që luajnë për Përfaqësueset tjera. Por, jemi në ndërtim e sipër dhe presim që kur të na lejohet zhvillimi i ndeshjeve zyrtare, do ta bëjmë një ekip shumë të mirë”, deklaroi ish përfaqësuesi kroat për Klan Kosova.

“Humbjet nga Turqia dhe Senegali nuk duhet t’i marrim si tragjedi, pasi jemi duke u ndërtuar. Mendoj se ka pasur mundësi të zgjidhen lojtarë edhe më të mirë, të cilët e kanë merituar të luajnë. Futbolli kosovar ka lojtarë të mirë”, vazhdoi ai.

Ish futbollisti kosovar është vetëofruar ta ndihmojë këtë sport në vendin tonë. “Në të ardhmen mund të kontribuoj për futbollin kosovar. Jam i bindur se mund të ndihmoj shumë, por pres që të tjerët ta kuptojnë këtë. Me përvojën time si trajner dhe lojtar, mund ta ndihmoj sportin kosovar, futbollin në veçanti”, përfundoi Kozniku.