Kozniku: Kosova – Kroacia, ky ekip do të fitojë në Shkodër

Ndeshjen ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë e konsideron më të veçantën në jetën e tij, pasi do të përballen dy skuadrat që i ka në zemër e të cilat nuk mund t’i ndajë assesi. I favorizon kroatët, por kosovarët i këshillon të mos dorëzohen për 90 minuta. Pret lojë të madhe në mes të dy vendeve mike. Beson se me yjet që s’erdhën Kosova do të ishte “arrë e fortë” për skuadrat e mëdha. Është i gatshëm ta ndihmojë futbollin kosovar në çdo moment, në çfarëdo mënyre. 

Sport

16/09/2016 13:11

Njëri prej futbollistëve më të mirë që ka nxjerrë Kosova ndonjëherë, Ardian Kozniku, po e pret me emocione të veçanta ndeshjen e madhe të Ballkanit ndërmjet Kosovës dhe Kroacisë, e cila do të zhvillohet më 6 tetor në Shkodër.

Gjakovari e ka mjaft të vështirë ose të pamundur të bëjë tifo për njërin ekip, pasi insiston se nuk mund të bëjë ndarje ndërmjet këtyre dy ekipeve, shkruan sot gazeta Zëri.

Ai e ka kaluar më shumë se gjysmën e jetës në Kroaci, vend ky i cili i dha gjithçka në jetë, duke ia dhënë mundësinë të jetë pjesë e Kampionatit Botëror, ku e kishte fituar medaljen e bronztë.

Në anën tjetër, Kosova, vendi i tij, të cilin nuk e ka harruar asnjëherë e për të cilin i rrah zemra fort.

Image

“Me të vërtetë është shumë e vështirë ta përshkruaj me dy fjalë. Për mua, është një ndeshje me shumë rëndësi. Kohëve të fundit kanë ndodhur gjëra të mira në futbollin kosovar, ndërsa fati deshi të jemi në grup me Kroacinë. Si shtete mike që jemi na lidhin shumë gjëra. Shumë sportistë kosovarë kanë luajtur dhe po luajnë ende në Kroaci. Mund të them se jam me shumë emocione”, theksoi fillimisht Kozniku për “Zërin”.

“Njëjtë sa e dua Kosovën, e dua edhe Kroacinë. Kam luajtur për të dyja reprezentacionet. Përmes sportit dhe Kroacisë kam arritur deri këtu ku jam këtu. Më kanë bërë respekt të madh duke më ftuar në Botëror dhe jam shkolluar këtu. Për Kosovën të mos flas, është vendi im dhe e dua shumë. Pra, nuk mund t’i ndaj”, vazhdoi ai.

Kroacia favorite, Kosova duhet të provojë

Kroacia ka shumë yje në skuadër dhe Kozniku me plot të drejtë e konsideron këtë skuadër favorite për ndeshjen e “Loro Boriçit”. Sidoqoftë, ai nuk e lë pa kurrfarë gjasash as Kosovën, për të cilën thotë se nuk duhet t’i humbë optimizmi.

“Kosova e ka përballë një ekip shumë të fuqishëm dhe, edhe nëse ndahet baras ose nëse humb nuk është fundi i botës. E shoh favorite Kroacinë, nga ana profesionale. Por, futbollit nuk i dihet. Favoriti nuk fiton gjithmonë. Kosova nuk ka çka humb dhe duhet të mbretërojë optimizmi. Pres lojë të mirë dhe atmosferë të jashtëzakonshme. Janë 90 minuta në lojë. Në fund, le të fitojë futbolli”, vazhdoi Kozniku, i cili shpreson që sa më shpejt Kosova ta ketë stadiumin e saj, pasi mendon se kosovarët e meritojnë ta shohin skuadrën e tyre duke luajtur në shtëpi, duke e mbushur stadiumin, pas sakrificave të mëdha që ka bërë vendi ynë.

Image

Me yje do të ishim më optimistë

Kozniku e pranon se nëse Kosovës do t’i bashkohen yjet si: Shaqiri, Xhaka, Behrami, Januzaj, Beqiraj etj., do të kishte vend për më shumë optimizëm në këto eliminatore.

Sidoqoftë, ai shton se lojtarët që ka Kosova aktualisht nuk janë për t’u nënvlerësuar, shkruan Zëri.

“Nëse do të ishin këto yje, normal që reprezentacioni i Kosovës do t’u bënte ballë shumicës së ekipeve dhe do të mundë të ishim më optimistë. Por, ndërkohë kemi lojtarë mjaft të mirë dhe do të kemi edhe në të ardhmen. Duhet të fokusohemi tek lojtarët që i kemi”, deklaroi trajneri kosovar, i cili e ka shprehur edhe një herë gatishmërinë e tij që ta ndihmojë futbollin kosovar në çfarëdo mënyre, edhe pse nuk ngurron ta pranojë se është i gatshëm ta udhëheqë Përfaqësuesen e Kosovës.

Në fund, Kozniku u shpreh se për Kosovën nuk është e lehtë ta ndërtojë ekipin brenda natës, prandaj shton se trajnerit Albert Bunjaki i nevojitet kohë për ta komponuar ekipin, sidomos pas ardhjeve të fundit të lojtarëve.

Ai bëhet realist duke e pranuar se Kosova e ka të vështirë të kualifikohet në Botërorin e Rusisë, kur dihet se çfarë grupi të fortë ka, por beson se kjo skuadër e ka mundësinë të përmirësohet duke luajtur ndaj skuadrave të fuqishme.

Ai pret që në kualifikimet për “Evropianin 2020” Kosova të jetë edhe më e fuqishme dhe ta kërkojë kualifikimin, pasi gjasat janë më të mëdha, kur dihet se kualifikohen më shumë ekipe.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.