Kosovës i lejohet për herë të parë ulësja në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës

Një delegacion i Kuvendit të Kosovës, i udhëhequr nga nënkryetari Xhavit Haliti, po merr pjesë në punimet e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që po mbahen në Strasburg të Francës.

Lajme

26/06/2017 13:29

Është hera e parë që delegacionit të Kuvendit të Kosovës i lejohet ulësja në sallën plenare të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, shkruan lajmi.net.

Lajmin e ka bërë të ditur Haliti, duke shtuar se Kosova ka siguruar edhe zyrë për herë të parë brenda një institucioni ndërkombëtar.

“Përpjekjet do të vazhdojnë që Kosova të bëhet anëtare e barabartë me vendet tjera në KE e BE”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se gjatë qershorit presin që të zgjidhet edhe raportuesi i KE-së për Kosovën.

“Gjatë sesionit të qershorit, presim që të zgjidhet edhe raportuesi i KE-së për Kosovën. Kështu që Kosova do të vazhdojë të jetë temë e përhershme e debateve në AP të KE-së, dhe do ketë mundësi edhe më të mëdha që të prezantojë të arriturat demokratike, ashtu siç do përpiqemi që raportet bilaterale në mes të vendit tonë e vendeve anëtare të KE-së dhe atyre me status tjetër të përmirësohen e të bëhen të përhershme”, ka thënë ai./Lajmi.net/