“Kosovës i duhet konsensusi nacional për demarkacionin, Ushtrinë dhe dialogun”

Kosovës i duhet konsensusi nacional politik për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi si kusht për liberalizimin e vizave, siç i duhet konsensusi për çështjen e formimit të Ushtrisë dhe për dialogun me Serbinë. Kështu ka vlerësuar profesori universitar, Avni Mazrreku.

Lajme

06/07/2017 22:09

Ai ka thënë për lajmi.net se Kosova duhet të marr mësim nga mandati i kaluar qeverisës kur koalicioni PDK-LDK nuk arrinte të kalonte çështje të rëndësishme, megjithëse kishte më shumë se dy të tretat e deputetëve të Kuvendit.

“Ne e dimë që pas zgjedhjeve të vitit 2014 është formuar një koalicion i madh dhe ajo Qeveri ka pasur shumicën e mjaftueshme parlamentare për t’i proceduar të gjitha ligjet, apo ndryshimet kushtetuese, por e kemi pas se në disa raste çështjet kanë ngec jo vetëm për shkak të kundërshtimit të opozitës, por edhe për shkak se deputetët e mazhorancës, të koalicionit qeverisës nuk i kanë mbështetur ato vendime. Prandaj, kjo na mëson neve që Parlamenti duhet të jetë funksional, pavarësisht madhësisë së koalicioni qeverisës, duhet të ketë kompromis nacional që do të rezultonte me një Parlament funksional”, ka ka deklaruar Mazrreku.

Sipas tij, duhet të ketë konsensus për çështjet si: Demarkacioni, Ushtria, Asociacioni dhe Dialogu.

“Çështjet e mëdha nuk janë pronë as e një subjekti politik, as e Qeverisë, as e opozitës, prandaj duhet për disa çështje të ketë pajtim politik nacional. Pra për çështjet si Demarkacioni me Malin e Zi, krijimi i Ushtrisë, Negociatat me Serbisë, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, reformimi i Administratës, anëtarësimi i në NATO, në BE. Konkludimi i pavarësisë së Kosovës bëhet pasi ndodhë anëtarësimi në OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare”, ka shtuar Mazrreku.

Më tej, profesori i së Drejtës Evropian ka folur edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën. Mazrreku ka thënë se ky proces është i bllokuar për shkak të mos ratifikimit të demarkacionit.

“Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën aktualisht është i bllokuar, jo për shkak të zgjedhjeve, por për shkak që legjislatura paraprake ka dështuar ta ratifikojë Marrëveshjen për Demarkimin e Kufirit me Malin e Zi, që në është njëri nga kushtet e mbetura të paplotësuara. Sido që të jetë, Kosova edhe në atë stad ka qenë larg momentit kur vendimi politik do të merrej për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën”, është shprehur Mazrreku.

Në fund, ai ka sqaruar procedurat vendimmarrëse për çështjen e liberalizimit të vizave.

“Vendimi për liberalizimin e vizave shkon nëpër disa stade, e Kosova deri më tani ka kaluar nëpër një stad e që është rekomandimi i Komisionit Evropian, me kusht që të plotësohen edhe dy kushtet e mbetura, e që janë; luftimi i krimit dhe korrupsionit dhe ratifikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin. Pas kësaj, procedura kalon në komisionet respektive të Parlamentit Evropian dhe në të cilat poashtu Kosova ka kaluar me këto dy kushte mangu dhe më pas duhet të merret pëlqimi i Parlamentit Evropian, e që Kosova ende nuk e ka kaluar dhe pas këtij pëlqimi çështja procedohet në një tjetër organ te Bashkimit Evropian, e që është organ politik dhe që merr vendime politike sipas një sistemi të caktuar të votimit, që nënkupton të gjitha shtetet anëtare të BE-së në Këshillin e Bashkimit Evropian që përfaqësohen nga ministrat e brendshëm duhet të votojnë sipas sistemit të shumicës së kualifikuar”, ka përfunduar Mazrreku duke thënë se për t’u zhbllokuar ky proces duhet të ratifikohet marrëveshja me Malin e Zi. /Lajmi.net/