Kosovën e njohin 108 apo 111 shtete?!

Kosovën si shtet, e kanë njohur 111 vende të botës apo 108!? Në fakt, këtë dilemë duket se kanë edhe në Ministrinë e  Punëve të Jashtme të Kosovës, raporton lajmi.net.

Lajme

23/02/2016 21:30

 

Kjo mospërputhje vërehet  edhe në faqen zyrtare të MPJ-së, brenda së cilës numri i vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës është i ndryshëm, raporton lajmi.net.

Kështu, në vegëzen(linku)  me emrin “Shtetet që e kanë njohur Republikën e Kosovëse”, cila ka emrat dhe flamujt e shteteve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës,  numri i vendeve  që shtetësinë e vendit është 108.

Faqja zyrtare e internetit e MPJ-së në të cilin figuron se numri i shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës është 108 vende.

Faqja zyrtare e internetit e MPJ-së në të cilin figuron se numri i shteteve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës është 108 vende.

Aty figuron se shteti i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovës janë ishujt Solomon, vendim i cili është njoftuar në gusht të vitit 2014.

Por në vegëzen tjetër që flet mbi “Njohjet ndërkombëtare të Republikës së Kosovës”, numri i njohjeve është 111, raporton lajmi.net.

Faqja zyrtare e MPJ-së ku figuron se numri i vendeve që kanë njohur Kosovën është 111 shtete

Faqja zyrtare e MPJ-së ku figuron se numri i vendeve që kanë njohur Kosovën është 111 shtete

“Republika e Kosovës ka siguruar 111 njohje, në këtë mënyrë ka arritur qëllimin për të pasur më shumë se 100 vende që e njohin Kosovën”, shkruan ndër të tjera në këtë faqe interneti të MPJ-së.

Në anën tjetër, është edhe një faqe jozyrtare në internet “kosovothanksyou.com” e cila që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, vazhdon të publikojë dhe falënderojë të gjitha vendet që njohin pavarësinë e Kosovës, raporton lajmi.net.

Kjo faqe publikon në kohë reale të gjitha njohjet që Kosova ka marrë nga vende të ndryshme të botës, përfshirë edhe datën, dhe orën e saktë.

Por edhe në këtë faqe, numri i njohjeve që vendi ka marrë është 111.

Sipas saj, vendi i fundit që ka njohur pavarësinë e Kosovës është Antigua dhe Barbuda, në maj 2015.

Faqja jozyrtare që regjistron njohjet që merr Kosova- kosovothanksyou.com

Faqja jozyrtare që regjistron  njohjet që merr Kosova- kosovothanksyou.com

Në të gjitha deklarimet  publike që ka pasur  zv.Kryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, ai e ka potencuar se vendin e kanë njohur 111 shtete.

Ardian Arifaj, këshilltar politik i zv.Kryeministrit Thaçi, thotë se nuk mund të flasë meqë kjo çështje është më shumë teknike.

“Por mund t’iu siguroj se numri i vendeve që kanë njohur Kosovën , zyrtarisht është  111 shtete”, thotë Arifaj për lajmi.net.

Lajmi.net është munduar të marrë më shumë informacione në lidhje me këtë çështje në MPJ, por kjo të martën ishte e pamundur./lajmi.net