Kosovë, vijon ikja e të ndjekurve nga drejtësia

Xhabir Zharkut, Shpresim Ukës dhe Bekim Sylës, persona këta që gjenden në arrati, nga e hëna në mbrëmje u është bashkuar edhe Gani Geci.

Lajme

06/08/2014 20:17

Më 8 maj të vitit 2012, Gjykata Supreme e Kosovës e pati vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë kundër ish-kryetarit të Komunës së Kaçanikut, Xhabir Zharku, përkujton indeksonline.

Ai ishte dënuar me tre vjet burgim për veprën penale të detyrimit. Si pasojë e këtij dënimi, Kaçaniku pati shkuar në zgjedhje të parakohshme.

Por, pas shqiptimit të dënimit, Xhabiri u zhduk dhe që nga ajo kohë ai është në arriti. Thuhet se po qëndron i papenguar në Suedi. Për të është lëshuar flet-arrest ndërkombëtar.

Në dhjetor të vitit 2012 janë arratisur edhe Shpresim Uka dhe Bekim Sylaj.

Nga dëshmia e Nazim Bllacës, në procesin e njohur si “Bllaca II”, ata dhe tre të tjerë u shpallën fajtorë për “vrasje të rëndë” dhe “tentim vrasje të rëndë”.

Shpresim Uka u dënua me 15 vjet e Bekim Sylaj me 12 vjet burg. Ata ishin në arrest shtëpiak dhe vetëm seancën e fundit, kur u shpall verdikti, nuk shkuan në gjykatë.

Policia e Kosovës, nëpërmjet Misionit të EULEX-it, e kjo e fundit duke bashkëpunuar me zyrën e UNMIK-ut në Prishtinë, ka lëshuar flet-arrest ndërkombëtar ndaj Shpresim Ukës dhe Bekim Sylajt.

Ata janë të dënuar nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë në rastin e njohur si “Bllaca II”, me 17 dhjetor 2012.

Emrat e tyre ndodhën në mesin e rreth 50 personave që kërkohen nga drejtësia kosovare, kurse në përshkrimin e shkurtër të tyre, Shpresim Uka kërkohet për “vrasje të rëndë dhe bashkëpunim në tentativë për vrasje të rëndë”.

Ndërkohë, Bekim Sylaj, i shpalluri tjetër në kërkim nga Interpoli, kërkohet për veprën penale të “pjesëmarrjes në vrasje të rëndë”.

E personave “VIP” të arratisur, nga e hëna i është shtuar edhe Gani Geci, ish deputet i LDD-së. Ai dyshohet se natën e së hënës vrau në Skenderaj Ruzhdi Shaqirin me katër plumba. Për të tashmë është lëshuar flet-arrest, por ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi tha sot që beson se Geci ndodhet në Kosovë, e jo jashtë vendit, siç kanë thënë familjarët e tij. (Indeksonline)