Kosovë – Shqipëri, Bunjaku sulmon De Biasin

Albert Bunjaku ka kritikuar veprimin e përzgjedhësit të Shqipërisë, Gianni de Biasi.

Sport

15/07/2016 10:05

Selektori i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, ka kritikuar veprimin e përzgjedhësit të Shqipërisë, Gianni de Biasi, që të mërkurën ka kontaktuar një nga një kosovarët e Kombëtares për të marrë qëndrimin dhe përgjigjen e tyre nëse do të vazhdojnë të luajnë për Shqipërinë apo po mendojnë të luajnë për Kosovën.

Bunjaki ka thënë se ky është presion i hapur dhe se nuk është pritur një gjë e tillë nga Shqipëria. Ai ka treguar për gazetën Koha Ditore se disa lojtarë e kanë marrë atë në telefon dhe kanë qarë hallet pas telefonatës së De Biasit.

Mediat në Shqipëri raportojnë se të paktën një lojtar kosovar ia ka bërë të ditur De Biasit se dëshiron të luajë për vendlindjen e tij, mirëpo Bunjaku ngul këmbë se bëhet fjalë për shumë më shumë.

“Lojtarët janë kontaktuar nga De Biasi për të marrë një përgjigje nëse do të vazhdojnë të luajnë për Shqipërinë. U është kërkuar qysh dje të vendosin. Vet lojtarët, me disa prej të cilëve edhe kam kontaktuar e kanë ndier veten shumë keq. Mendoj se nuk është në favorin e askujt kjo që ka bërë ai”, ka deklaruar Bunjaku për Koha Ditore.

“ Nuk është mirë as për futbollin e Shqipërisë, as të Kosovës e as për vetë futbollistët, pa ardhur një vendim i FIFA-s i cili shumë shpejtë do të vijë e do të sqarojë situatën e gjithsecilit. Nuk e kuptoj se çka duhet të vendosin lojtarët kur nuk kanë se çka të vendosin, pasi ende nuk kemi marrë përgjigje nëse kanë të drejtë apo jo të ndërrojnë përfaqësuesen”, ka theksuar Bunjaku.