Kosovë: Rritet çmimi i mishit, sheqerit, alkoolit, duhanit…

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka njoftuar se në muajin dhjetor të vitit që shkoi çmimet e produkteve u shtrenjtuan për 1.3 për qind për një vit.

Lajme

12/01/2017 19:21

Qumështi, djathi e vezët u shtrenjtuan më së shumti bashkë me duhanin, perimet e naftën e bënzinën.

Vetëm për muajin dhjetor kishte rritje 0.4 për qind më shumë se në nëntor.

Ndërkaq shkalla e inflacionit e matur në muajin dhjetor 2016 me muajin dhjetor 2015 ishte 1.3 për qind.

“Indeksi i harmonizuar  i tërësishëm i çmimeve të konsumit në vend në vitin 2016 ishte më i lartë, në një mesatare prej 0.3%, krahasuar me vitin 2015. Ngritje e indeksit të çmimeve të konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet e COICOP-it: mish (1.5%); vajëra dhe yndyra (2.5%); sheqer dhe ëmbëlsira (8.8%); pije joalkoolike (1.8%); pije alkoolike (7.2%); duhan (8.8%); veshje (2.8%); orenditë dhe aparaturat, qilimat dhe shtrojat e tjera për dysheme (2.0%); prodhimet dhe pajisjet mjekësore (2.4%); shërbimet për transport (5.4%) – (ngritje e çmimit të biletave me aeroplan) me një ndikim të përbashkët prej 1.3% në IHÇK.

Kurse, rënie e indeksit të harmonizuar të çmimeve të konsumit në këtë periudhë është vërejtur te nëngrupet: bukë dhe drithëra (-2.6%); pemë (-3.5%); perime (-6.1%); furnizim me ujë dhe shërbime të ndryshme, që kanë të bëjnë me vendbanimin (-4.5%); rrymë, gaz dhe lëndë djegëse të tjera (-2.7%); përshkallëzim i TVSH-së me 8.0% nga muaji shtator i vitit 2015 te disa artikuj dhe shërbime ka ndikuar në rënie të inflacionit në një masë prej (-0.4%) në vitin 2016; përdorim i pajisjeve për transportin personal (-4.7%), me një ndikim të përbashkët prej 1.0% në IHÇK”, thuhet në njoftimin e ASK-së.