Kosovë – Kroaci, mungojnë biletat me çmimin “më të kërkuar”

Tifozët janë ankuar edhe për faktin se në dispozicion për t’i blerë nuk i kishin biletat e çmimeve prej 15 dhe 20 eurove, të cilat iu interesonin më së shumti.

Sport

29/09/2016 15:38

Biletat për ndeshjen Kosovë – Kroaci kanë dalë në shitje të enjten me plot polemika.

Fillimisht, tifozët nga disa qytete të Kosovës, si nga Mitrovica, Gjakova e Gjilani, e kanë shprehur pakënaqësinë dhe zhgënjimin për faktet se u është dashur të shkonin në qendra tjetër të vendit për të siguruar bileta.

Ndërkohë, edhe blerësit e biletave në Prishtinë janë ankuar për faktin se është vendosur vetëm një pikë e shitjes në kryeqytet, në një pikë të Moneygramit, e cila ka shkaktuar tollovi dhe pritje të gjatë të qytetarëve. Jo vetëm kaq.

Tifozët janë ankuar edhe për faktin se në dispozicion për t’i blerë nuk i kishin biletat e çmimeve prej 15 dhe 20 eurove, të cilat iu interesonin më së shumti.

Madje, edhe ekipi i “Zërit” e ka vizituar këtë pikë të shitjes, dy orë pasi kishin dalë në treg biletat, dhe shitësi nuk kishte njohuri përse nuk kishte bileta të 15 e 20 eurove.

Në FFK thonë se në shitje kanë dalë biletat e të gjithë sektorëve, pra përfshirë ato të 15 e 20 eurove, në pikat e shitjes të cekura në njoftimin e FFK-së.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.