Kosovë – Kroaci, befasi nga Edi Rama

Hashim Thaçi, ka bërë të ditur se Edi Rama do të jetë të enjten mbrëma në ''Loro Boriçi'' për ta përkrahur Kosovën.

Sport

05/10/2016 11:37

Nesër, Kosova do të luajë kundër Kroacisë në stadiumin ”Loro Boriçi”, sfidë e rëndësishme për Kosovën. Të njëjtën kohë, edhe Shqipëria do të zhvillojë ndeshje, këtë herë si mysafirë i Lihtenshtajnit.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur që ta shikojë sfidën Kosovë – Kroaci. Këtë e ka konfirmuar Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një intervistë për ”Gazetën Shekulli”.

”Unë do të jem në stadiumin e Shkodrës, për ndeshjen e përfaqësueses së Kosovës me atë të Kroacisë dhe ftoj të gjithë dashamirësit e futbollit të Republikës së Shqipërisë, që të japin maksimumin e përkrahjes për vëllezërit e tyre përtej kufirit, në këtë ndeshje të vështirë për ne”, tha fillimisht Thaçi.

“Të gjithë duhet të kuptojnë se fitoret e ekipit të Kosovës kanë rëndësi të veçantë për ne, sepse promovojnë shtetin tonë të ri, forcojnë pozicionin tonë ndërkombëtar. Prandaj, jam shumë i gëzuar, për të dhënë këtë mesazh. Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur që të vijë në stadiumin ”Loro Boriçi” për të mbështetur përfaqësuesen e Kosovës”, shtoi numri një i Kosovës.

Kujtojmë se nesër, në ”Loro Boriçi” do të jetë i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.

Parashikoni ndeshje të futbollit dhe fitoni dhjetëra shpërblime, duke përfshirë një iPhone 6S dhe Samsung Galaxy S6.