Kosovë, hapen qendrat e votimit (Video)

Në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, të dielen në orën 7:00 janë hapur 798 qendra të votimit me gjithsejtë dy mijë e 374 vendvotime, ku një milion e 782 mijë e 454 persona do të kenë mundësinë të votojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Lajme

08/06/2014 09:18

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka ka votuar në qendrën e votimit 1907E në vendvotimin 01R. Vota e saj ka qenë e para në këtë vendvotim ku edhe janë hap zyrtarisht qendrat e votimit.

Daka ka thënë se e ka e ka shfrytëzuar të drejtën për votim dhe shpreson që të gjithë qytetarët të dalin ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre për të votuar. Ajo shpreson se gjithçka të shkoj në rregull.

Mbi 1 milion e 782 mijë qytetarë me të drejtë vote do të kenë sot mundësinë që të votojnë për subjektin e tyre të preferuar dhe pesë kandidatët për deputetë në përbërjen e ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës me të drejtë vote për procedurën e votimit në Zgjedhjet e Parakohshme Parlamentare për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Si të votohet?

Pas përfundimit të procedurave të legjitimimit në Vendvotim, votuesi do të pajiset me një Fletëvotim. Në anën e majtë të fletëvotimit, votuesi duhet të shënjojë kutinë përbri emrit të subjektit politik. Pra, duhet të zgjedhni VETËM NJË SUBJEKTI POLITIK. Kurse, në anën e majtë të Fletëvotimit, votuesi, duhet të shënjojë MË SË SHUMTI 5 kandidatë për deputetë.

Një nga pyetjet e shpeshta e cila ka ardhur në adresë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka qenë: nëse vota e subjektit politik i llogaritet edhe liderit të subjektit politik?!

Përgjigjja është e thjeshtë: Lideri i një subjekti politik është i barabartë në mesin e kandidatëve të tjerë që janë në garë për deputetë. Kjo do të thotë se vota e subjektit politik nuk është automatikisht votë edhe për liderin e subjektit politik, nëse nuk është shënjuar numri i liderit të subjektit politik. Pra, votuesi, nëse dëshiron që vota e tij t’i shkojë edhe liderit të subjektit politik, duhet që të shënjojë numrin e liderit të atij subjekti politik.