Kosovë-Haiti, në mediat ndërkombëtare

Mediat prestigjioze botërore kanë raportuar nga ndeshja e parë miqësore e Kosovës në futboll kundër Haitit. AP thotë se Kosova e dominoi Haitin, ndërsa BBC përmend refuzimin e Adnan Januzajt për të luajtur për vendin e tij.

Sport

05/03/2014 18:22

Agjencia e lajmeve Asoshieted Press raporton se pavarësisht se nuk pati gola, turma e 18 mijë shikuesve u argëtuan me debutimin e Kosovës në futbollin ndërkombëtar.

“Kosova dominoi Haitin gati gjatë tërë ndeshjes në një stadium të rinovuar në qytetin verior të Mitrovicës, në ndeshjen e parë”, raporton AP.

Kjo agjenci përkujton se në janar të këtij viti, FIFA lejoi vendet anëtare që të organizojnë ndeshje të kombëtareve dhe të klubeve me Kosovën. Vendimi erdhi pavarësisht kundërshtive të Serbisë që Kosova ta ketë ekipin e vet kombëtar.

Ndërsa BBC raporton se gjashtë vjet pas shpalljes së pavarësisë, futbollistët e Kosovës luajtën ndeshjen e parë të nivelit ndërkombëtar, duke barazuar 0:0 me Haitin.

Ndeshja e aprovuar nga FIFA u luajt në qytetin e ndarë të Mitrovicës, raporton BBC.

Në këtë shkrim përmendet një postim në Tëitter që Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj e kishte bërë sapo ndeshja kundër Haitit kishte filluar.

“Miqësorja e parë ndërkombëtare e Kosovës kundër Haitit sapo filloi. Ditë e madhe për sportin e Kosovës”, kishte shkruar Ministri Hoxhaj.

BBC raporton se përzgjedhja e 22 futbollistëve për Kosovën kishte qenë e vështirë me vetëm një lojtar në përfaqësuese të marrë nga liga e vendit.

“Tre nga lojtarët më të mirë të vendit tani përfaqësojnë Zvicrën, përderisa Adnan Januzaj i Machester United, përkatësia e të cilit ia mundëson të luajë për Kosovën, refuzoi ftesën për të luajtur”, raporton BBC.

“17 mijë bileta për ndeshjen që u luajt në stadiumin e qytetit të Mitrovicës janë shitur brenda pak orëve”, raporton BBC.