Kosovarja merr korsinë e gabuar, një orë kaos në autostradën zvicerane

Në autostradën A2 në afërsi të fshatit Arisdorf, në drejtimin Bernë/Lucern të enjten ka ndodhur rreth orës 16.30 një aksident i cili ka shkaktuar një bllokim të gjatë dhe kolonë në komunikacion.

Lajme

25/04/2015 23:33

Siç bën të ditur policia në Basellandschaft, nuk ka pasur asnjë të lënduar por vetëm dëme të konsiderueshme materiale dhe vonesa në trafik.

Sipas njohurive të para të piolizeinews.ch, shkak i aksidentit ka qenë ngatërrimi i korsisë së rrugës nga pakujdesia që ka bërë ngasësja e makinës, një grua 38 vjeçe me shtetësi kosovare. Ajo ka kaluar nga shiriti i mesëm duke hyrë në atë të majtë me ç`rast ka goditur një makinë tjetër. Për pasojë, kosovarja ka humbur kontrollin mbi makinën e cila pastaj është rrokullisur dhe nuk është ndalur deri sa ka goditur murin në bankinën e djathtë të rrugës, transmeton albinfo.ch.

Makina ka pësuar dëmtim të rëndë dhe, derisa është hequr nga vendi i ngjarjes, ka shkaktuar pengesa të mëdha në trafik. Pas një ore (në 17.30) rruga është pastruar dhe komunikacioni ka filluar të zhvillohet normalisht.