Kosovari i lënduar në vendin e punës, po lufton me jetë në Intensivë

Që 16 ditë në Klinikën Intensive dergjet dhe lufton me jetën Sinan Gërdoci. Para këtyre ditëve ai ishte duke punuar si çdo ditë tjetër si punëtor ndërtimi. Ai po ndërtonte bashkë me shokët dhe kolegët e tij në një shtëpi trekatëshe, kur rrëshqiti dhe ra nga pllaka e katit të tretë.

Lajme

22/05/2018 16:19

Lëndimet ishin të shumta. Falë aparateve po mbahej në jetë për shumë ditë, pasi trupi i tij nuk mund të merrte frymë natyrshëm. Te dera e klinikës familjarët presin me duar të mbështetur në faqe. Vëllau i tij, Idriz Gërdoci, i rri gati çdo ditë dhe mban pranë vetes fëmijët e Sinanit, raporton Ndërtimi.info.

Në derën e kësaj klinike ka ardhur edhe pronari i kompanisë së vogël të ndërtimit, me të cilën Samiu punon që shumë vjet dhe përveç si pronar e ka edhe mik. Ai i ka qëndruar afër familjarëve gati çdo ditë.

Në kujdesin e tij, këtë të martë ishte doktori Hysen Hyseni. Ai e konfirmon për Ndërtimi.info që lëndimet e 52 vjeçarit kanë qenë të shumta, por që ka përmirësime.

“Gërdoci ka pas shumë lëndime, ka pas lëndime serioze. Por tash është mirë, është heq prej respiratorit. Është heq prej aparatit që i ndihmon frymëmarrje. Është duke e marrë vetën, kjo është shenjë e mirë. Ai është stabil njëherë përnjëherë, nuk kemi problem me frymëmarrje”, tregoi doktor Hyseni për Ndërtimi.info.

Nëse vazhdon kështu gjendja e pacientit, Hyseni tha se Sinani do të bartet në një repart tjetër për të vazhduar me tretman tjetër.

Vëllai i Sinanit, Idriz Gërdoci ka treguar për Ndërtimi.info se vëllai kishte rrëshqit derisa ishte duke vendosur një dërrasë në kulmin e shtëpisë ku punonte.

“Qysh ka qenë tu punu në katin e tretë nën kulm edhe është rrëzuar. Ky ka qenë duke vnu një dërrasë dhe ka rrëshqit, e punëtorët veç kur e kanë  pa në tokë. Tani shokët që u kon tu punu me ta e kanë pru këtu në spital. Ai nuk ka pas probleme asnjëherë me shëndet, as diçka tjetër. Që 25 vite ka punu dhe asnjëherë nuk është vrarë në punë. As vetë shokët e tij që punojnë bashkë nuk e din si ka ndodh rasti. Kështu që të keqe këtu nuk ka asgjë, as prej shefit as prej punëtorëve. Ky është rastësi, edhe prej shtëpisë tem ka mujt me ra.”, potencoi ai.

Heqja nga respiratorët po jep shpresë familjarëve të Sinanit, pasi që ai kur u dërgua në QKUK kishte 1 për qind shpresë për jetën.

“Gjendja e tij shëndetësore është duke u përmirësuar, kështu po na thënë doktorët. Se kur e kanë sjellë në fillim këtu ka pas veç 1 përqind shpresë për jetë”, përfundoi i vëllau.

Rikujtojmë që ngjarja ka ndodhur me 7 maj, derisa punëtori ishte duke punuar në një objekt banimi në rrugën “Igballe Berisha” në Prishtinë.