Kosovari akuzohet për thyerje të kafkës së fëmijës dhe tentimvrasje të gruas

Një kikbokser shqiptar është në bankën e të akuzuarit në Gjykatën Penale të Bazelit, i përballur me akuzën e tentimvrasjes së qëllimshme dhe tentim të shkaktimit të lëndimit të rëndë trupor.

Lajme

09/01/2018 14:23

Ai ngarkohet se ka ushtruar dhunë të vazhdueshme ndaj bashkëshortes së tij. Goditje pastaj kërkim faljeje dhe pajtim, kjo ka qenë rrjedha e cila është përsëritur përgjatë tri viteve, ka thënë (ende) bashkëshortja e 30 vjeçarit, shkruajnë Basellandschaftliche Zeitung dhe telebasel.ch.

Ndërsa herën e fundit, goditja e tij mbi gruan ka pasur pasoja të rënda edhe për foshnjën e tyre të përbashkët të cilën e ëma po e mbante në krah, transmeton albinfo.ch. Foshnja kishte pësuar me atë rast thyerje të kafkës, edhe pse më vonë ajo ishte shëruar.

I akuzuari i hedh poshtë pothuaj të gjitha akuzat. Ai i drejtohet në vazhdimësi gjyqtarit me shprehjen “I dashur zoti kryetar i gjyqit”, gjë që e bezdis këtë të fundit. Ai ka qenë edhe më parë i dënuar për rrëmbim dhe delikte të trafikut.

Personi në fjalë është futur në sallë i shoqëruar nga policët dhe me pranga në duar dhe në këmbë, të cilat i janë hequr pastaj, me kërkesën e avokatit. Ai po mbahet në paraburgim që nga marsi i vitit 2017.

Bashkëshortja e pranishme në sallë, dukej e frikuar dhe gjatë marrjes në pyetje disa herë ka shpërthyer në lot, transmeton albinfo.ch. Ajo thotë se e ka dashuruar burrin e saj dhe për këtë arsye seccilën herë ia ka falur. Ashtu sikurse dhe të tjerët gjatë procesit, edhe gruaja binte shpesh në kundërshtim me veteveten.

Në fillim të marrjeve në pyetje, nën presionin e burrit të saj, ajo kishte dhënë deklarata të tjera, ka theksuar prokurorja e rastit në pledoajenë e saj. Ndërsa xhelozia nga të dy palët ka luajtur gjithmonë një rol në këtë marëdhënie.

Procesin gjyqësor e ka përcjellë edhe familja e të akuzuarit gjë që ka bërë të elektrizohet atmosfera në sallë.

Vendimin, Gjykata Penale e Bazelit parashihet ta shqiptojë këtë të enjte.