Kosovarët vazhdojnë të presin para ambasadave për një vizë schengen

Po bëhet afër një vit prejse Komisioni Evropian ka miratuar propozimin për liberalizimin e vizave për Kosovën gjatë muajit maj të vitit 2016.

Lajme

22/04/2017 09:40

Por, pavarësisht këtij rekomandimi që gëzoi pa masë qytetarët ata ende po vazhdojnë të jenë populli më i izoluar në Evropë.

Stepja e kosovarëve të kalojnë lirshëm nëpër zonën Schengen po bëhet për shkak të mosratifikimit të Marrëveshjes për Demarkimin e Kufirit mes Kosovës e Malit të Zi. Është Demarkacioni, kusht ky i vënë nga BE-ja, që po i torturon kosovarët çdo ditë nëpër dyert e ambasadave.

Në ditët e caktuara për termine vizash radhët para ambasadave në Prishtinë vazhdojnë të jenë të gjata. Në çfarëdo kushtesh atmosferike, edhe në shi e në borë, qytetarët, nga të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, rreshtohen për një termin për një vizë që ua mundëson daljen në Evropë, shkruan Zëri.

Shumë prej tyre aplikojnë për bashkim familjar, procedurë kjo më e gjatë dhe më e komplikuar, të tjerë për një vizë punë, vizë studentore apo edhe vizë turistike.