Kosovarët shpenzuan rreth 24 milionë euro për kafe e qaj rusi në vitin 2016

Një deklaratë e vushtrriasit që pinë 70 çaja në ditë është kthyer në humor në rrjetet sociale. Por, përtej shakasë, Vushtrria edhe zyrtarisht mbanë vendin e parë në Kosovë për pirje të çajit.

Lajme

23/08/2017 16:42

Pas saj vjen Podujeva, ku qytetarët thonë se pijnë deri në 40 çaja në ditë.

Në përgjithësi, statistikat tregojnë se qytetarët e shtetit më të varfër në Evropë janë konsumues të mëdhenj të çajit dhe kafes.

Këtë e dëshmojnë edhe statistikat e importit të këtyre produkteve që ka siguruar Gazeta Fjala, nga Dogana e Kosovës.

Për import të këtyre produkteve shpenzohen miliona euro.

“Në vitin 2016, janë importuar 9,656,098.00 kilogram çaj dhe kafe, dhe që kapin shifrën prej 23,893,434.00 euro”, ka thënë për Gazetën Fjala zëdhënësi i Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci.

Kjo shifër del të jetë e lartë edhe në këtë gjashtëmujor.

Në gjashtëmujorin e  parë të vitit 2017, janë importuar 5.7 milionë kilogram çaj dhe kafe, në vlerë prej 17 milionë euro.

Llojet e kafesë dhe çajit

Konsumohen shumë, por jo të gjithëve u pëlqen lloji i njëjtë i këtyre pijeve. Del se lloji i kafesë që më së shumti importohet ajo e papjekur dhe e pa dekafeinizuar, pastaj kafeja e pjekur, e padekafeinizuar.

“Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2017 janë importuar 3 milionë e 588 mijë e 879 kilogram kafe e papjekur dhe e pa dekafeinizuar, ndërsa 807 mijë e 975 kilogram kafe e pjekur, e padekafeinizuar”, ka thënë Stavileci për Gazetën Fjala.

 

Por në tregun kosovar, gjejnë përdorim edhe zëvendësuesit e kafes, por që kanë përmbajtje të saj, si dhe lëkura dhe lëvorja e kafes.

Ndërsa tek lloji i çajit, i preferuar del të jetë çaji i zi me paketime deri në 3 kilogram, pasuar nga çaji i gjelbër në paketime deri në 3 kilogram.

“Janë importuar 775 mijë e 165 mijë kilogram çaj i zi, ndërsa 7 mijë e 171 kilogramë çaj i gjelbër”, thuhet në statistikat e importit të siguruara nga Dogana e Kosovës.

Meqenëse Kosova nuk i prodhon këto produkte, atëherë importin e ka të domosdoshëm. Vendet prej të cilave vijnë këto produkte janë: Brazili, Shqipëria, Estonia, Belgjika e shumë vende të tjera.

Por, Kosovës vetëm importi i kafes nga Brazili i kushton mbi 4 milionë euro.

“Nga Brazili importohen 2 milionë e 663 mijë e 3 kilogram kafe”.

Fakte për kafen: Kafja më e shtrenjtë në botë kushton 30 euro

Kafeja më e shtrenjtë në botë, “Kopi Luëak” prodhohet nga jashtëqitjet e civetit aziatik, kafshë shumë të ngjashme me macen dhe kushton deri në 350 euro.

Civeti aziatik në pyjet indoneziane përdor ushqime shumë të rralla, kokrra të papërpunuara të kafesë, të cilat pas tretjes së ushqimit i nxjerr jashtë, ndërsa kokrrat i nxjerr së bashku me jashtëqitjet.

Kokrrat e kafesë pastaj lahen dhe piqen më lehtë, sepse është e rëndësishme që ajo të mos e humb aromën, transmeton AA shkrimin.

Ekspertët thonë se kjo kafe është shumë e shtrenjtë për shkak të mënyrës unike të prodhimit dhe shijes së veçantë.

Ndërkohë, çdo vit prodhohet rreth 450 kilogram kafe e cila, sipas disave është më e shtrenjta në botë, sepse një filxhan kafe kushton rreth 30 euro.

Pavarësisht çmimit të lartë, turistët e huaj në ishullin Bali në Indonezi me kënaqësi konsumojnë kafen më të shtrenjtë. Vizitorja nga Ukraina Gallina Kasionava thotë se ishte tronditur kur dëgjoi për mënyrën e prodhimit të kafes më të shtrenjtë në botë. Megjithatë, ajo konsideron se kjo kafe ka shije shumë më të ndryshme nga llojet tjera të kafeve.

Pronari i restorantit në ishullin Bali, Ketut Gogong Pramana thekson se Luëak është më e shtrenjta në botë. “Por kjo është kafe, e cila prodhohet më së paku në botë. Shumë turistë që vizitojnë Balin, domosdoshmërisht vijnë që ta provojnë këtë kafe”, kishte thënë Pramana.