Kosovarët s’e kanë obligim të shkojnë në Siri

Shefqet Krasniqi thotë se kosovarët s'e kanë obligim të shkojnë në Siri. Komenton “Islamin Autokton” dhe “Islamin e Pasluftës” në Kosovë. Dhe porosit: Nuk është mirë të dalësh kundër asaj që e do populli, sepse edhe po të jesh superfuqi, do të dështosh.

Lajme

19/01/2014 17:05

Imami i Xhamisë së Madhe në Prishtinë, Shefqet Krasniqi, në një intervistë me shkrim për lajmi.net, tregon arsyet pse kosovarët nuk duhet të shkojnë në luftën që po zhvillohet në Siri.

Ai komenton për “Islamin Autokton” dhe “Islamin e Pasluftës” në Kosovë, ndërsa debatin në lidhje me Islamin e konsideron të padrejtë, për shkak se gjithmonë pala e akuzuar mungon.

Konsideron se nuk është mirë të dilet kundër asaj që e do populli, sepse është i bindur se edhe po të jesh superfuqi, do të dështosh.

 

Lajmi.net: Debatet rreth rolit të religjionit në shoqëri – me fokus të veçantë në Islam – janë duke dominuar kohëve të fundit në Kosovë. Ka shkëmbime të ashpra, mendime kundërshtuese dhe qëndrime emocionale.  Si e shihni ju krejt këtë situatë? Sa ka dobi dhe sa dëm për vetë Islamin nga kjo mënyrë e të debatuarit?

Shefqet Krasniqi: Ju faleminderit fillimisht për interesimin tuaj që kësaj problematike t’i qasem përmes mediumit tuaj. Mendoj se debatet janë të dobishme, natyrisht kur zhvillohen drejt dhe të paanshme. Debatet e kohëve të fundit që po i shohim vetëm emrin e kanë të tillë, sepse asnjë rregull e debatit aty nuk merret në konsideratë.

Debatojnë për tema tejet të rëndësishme fetare, Islame, ata që s’mund t’i citojnë as dy tituj të vetëm të literaturës Islame. Aty, siç jam shprehur edhe më parë në njërën prej portaleve, gjithmonë pala e akuzuar mungon, pra palës muslimane nuk i jepet mundësia që të mbrojë qëndrimet e veta apo të shpalos një mendim ndryshe për një çështje të caktuar.

Lajmi.net: Shpesh përmendet dallimi mes “Islamit Autokton” (atij burimor, origjinal) dhe “Islamit të Pasluftës” në Kosovë. A ekziston një dallim i tillë? A ka ndryshuar praktikimi i Islamit në Kosovë në dekadat e fundit?

Shefqet Krasniqi: “Islami Autokton” në fakt, sipas asaj që po dëgjojmë, duket të jetë Islami socialist apo ai gjatë sistemin marksist-leninist, pra vetëm si fenomen shoqëror. Islami i vërtetë autokton me namaz, agjërim dhe praktikim të tij gjithkund në sfera të jetës ka qenë në Kosovë ngjashëm me atë që është sot, por ama para periudhës komuniste.

Pra, nëse shikojmë gjeneratat para-komuniste, ata vërtet kanë qenë më fetarë. Ndaj edhe pas luftës, falë Zotit, rinia është vetëdijesuar dhe vazhdon të vetëdijesohet dukshëm në lidhje me praktikimin e Islamit.

Andaj, në dekadat e fundit në Kosovë nuk ka ndryshuar praktikimi i Islamit, por vetëm është shtuar interesimi ndaj tij dhe është shtuar numri i praktikuesve që nuk ka qenë kaq i madh më herët.

Lajmi.net: Ju keni deklaruar se në Kosovë nuk ka Wahabizëm, por raportet e shërbimeve sekrete ndërkombëtare thonë se ka…

Shefqet Krasniqi: Unë nuk kam dijeni rreth raporteve sekrete, madje nëse në Kosovë ka Vehabizëm dhe paska rrezik potencial prej tij, atëherë vallë pse të mbahet kjo në raporte sekrete, e të mos vetëdijesohet masa me fakte!

Unë besoj se Vehabizmi është më shumë terminologji nënçmuese mediale sesa realitet. Ndaj m’u për këtë kam tërhequr një paralele ndërmjet Vehabizmit si term dhe Separatizmit të kohës së ish-RSFJ-së.

Lajmi.net: Raportet tuaja me AAK’në duket se janë tejet të acaruara. Ju keni pasur shkrime të rrepta kundër AAK’së, kurse përfaqësuesit e AAK’së kanë pasur akuza të mëdha ndaj jush. Ramush Haradinaj ka thënë në një intervistë se nuk ka respekt për “Fillqtanat me mjekra”. Por, pastaj ai e ka vizituar Bashkësinë Islame në Podujevë, ku ka pohuar se është për një “Islam Atdhetar”, të cilit, sipas kësaj logjike, ju nuk i takoni…

Shefqet Krasniqi: Jo, nuk e besoj se unë kam raporte të acaruara me ndonjë parti. Nëse ndonjë parti ka raporte të acaruar me mua, atëherë le të mendojë dy herë. Unë kam shkëmbyer replika me persona të ndryshëm të partive të ndryshme, përfshirë këtu edhe AAK, që u duket vetja se e kanë bërë namin, por assesi kjo nuk duhet interpretohet në drejtim të partisë.

Deklarata e pamatura gjithmonë kanë shkaktuar dhe do të shkaktojnë probleme në shoqëri.

Unë nuk jam i interesuar t’i drejtoj gishtin vetes, sikur që thoni ju në pyetje, në lidhje me deklaratën e papërtypur të Haradinajt. Unë e kam thënë se nuk bart asnjëfarë përgjegjësie në lidhje me ‘luftën kibernetike’ që po zhvillohet pamëshirshëm në rrjetet sociale. Personat e paidentifikuar apo me identitet të rrejshëm për mua nuk kanë asnjë vlerë. Ndaj, jo vetëm hoxhallarët por edhe popat në Kosovë bartin mjekra, bile të gjata, e që jo vetëm Haradinaj por të gjithë politikanët tanë po vardisën rreth tyre sikur të ishin ata politik-bërës e jo që janë politikanët në realitet.

Me duhet të potencoj vetëm edhe një gjë, nuk është mirë të dalësh kundër asaj që e do populli, sepse edhe po të jesh superfuqi – do të dështosh, e lerë më individ.

‘Islam Atdhetar’ nuk ka, por musliman atdhetarë po, dhe falë Zotit ne jemi prej tyre. Këtë e kemi dëshmuar kur ka qenë koha, tash nuk e humbim sevapin duke u shfaqur mburravec para njerëzve.

Lajmi.net: Keni kërkuar përfshirjen e lëndës fetare në shkolla. Sipas jush, si duhet të bëhet kjo? Deri më tash nuk keni paraqitur ndonjë plan të detajuar pedagogjik? Këtë lëndë a duhet ta ligjërojnë klerikët fetarë, apo studiuesit e religjionit (p.sh., sociologët e religjionit)?

Shefqet Krasniqi: Nga përvojat e mia në Europë kam parë së lënda fetare është tipike fetare, jo qasje shkencore një-dimensioneshe ndaj fesë, sikur që është sociologjia e religjionit. Me sa di unë, sociologjia e religjionit ekziston nëpër shkolla, edhe pse, për mendimin tim, më mirë do të ishte po të quhej sociologjia e jo-religjionit, sepse religjion aty nuk mësohet.

Mendoj se kur të vijë koha, do të dalim edhe për këtë me plan përkatës. Në Europë, kjo lëndë njihet si RE (Religious Education), pra Edukimi ose Edukata Fetare dhe jepet nga mësimdhënësit fetar, varësisht nga grupi religjioz që i takojnë.

Lajmi.net: Pjesëmarrja e kosovarëve në luftën e Sirisë po shtohet, e po ashtu raportet për vdekjen e tyre po rriten. A e vlerësoni shqetësues këtë fakt?

Shefqet Krasniqi: Natyrisht se neve na dhimbsen të rinjtë tanë që vdesin, kudo që vdesin. Por, megjithatë, ata kanë shkuar atje me lejen dhe sigurisht me marrëveshjen e familjes.

Ne e kemi bërë të qartë se lufta në Siri nuk është obligim për kosovarët, pasi populli sirian është rreth 20 milionë dhe se ata janë më shumë se të aftë për ta çliruar vendin e tyre.

Ky konflikt që moti do të kishte marrë fund po të mos ekzistonin interesat, ndërhyrjet dhe fërkimet ndërkombëtare.

Nuk po e kuptoj prej nga po i merrni lajmet se numri i kosovarëve atje po rritet, kur zyrtarisht Ministria e Punëve të Jashtme raporton vetëm për 20-30 veta. Nuk e di pse gjithë kjo bujë për 20 veta derisa vetëm në komunikacion në Kosovë na u është mbytur dhjetëfishi i tyre gjatë viti që lamë pas.

Lajmi.net: A mund të konsiderohet lufta dhe vdekja në Siri si shehidllëk? Cilat janë kushtet që duhen përmbushur që një njeri të bjerë shehid?

Shefqet Krasniqi: Nëse i konsiderojmë shehidë të rënët tanë për ta çliruar Kosovën, atëherë edhe ata njerëz – opozita po bëjnë të njëjtën gjë, po mundohen ta luftojnë Millosheviqin e vet për t’u liruar nga zgjedha 40 vjeçare e sundimit të hekurt të Asadit-babë e bir.

Kushtet e shehidllëkut dihen, të jetë personi musliman, të luftojë në krahun e së drejtës kundër tiranisë dhe shtypjes, të ketë qëllimin për Zotin e jo për përfitime të kësaj bote, qoftë materiale, qoftë ofiqe, dhe të mos involvohet në vrasjen e civilëve, të pafajshmëve dhe atyre që nuk janë të aftë apo nuk duan të jenë pjesëmarrës në luftë.

Lajmi.net: Një ngjarje që ndoshta kishte për qëllim proklamimin e homoseksualizmit në Kosovë nga disa të rinj kosovarë, kishte përfunduar në dështim të realizohet nga demolimi i sallës ku po zhvillohej ky aktivitet prej disa të të rinjve tjerë. Sot në këtë shoqëri demokratike, sipas jush, a kanë këta vend në Kosovë dhe me ç’sy duhet të shihen këta?

Shefqet Krasniqi: Ne e kemi si zakon me u tregu ‘Më katolik se Papa’ siç thotë populli. Shoqëri demokratike po ndërton edhe Serbia, edhe Maqedonia, por që të dyja kanë reaguar zyrtarisht dhe ashpër kundër një vesi të lig e shkatërrues siç është ky në fjalë.

Pra, ju po shqetësoheni për demolimin e disa karrigeve në sallë, që mund të riparohen lehtë, por fare nuk po mendoni për demolimin e shoqërisë dhe shkatërrimin e saj me elemente infektuese, madje në emër të demokracisë e të drejtave të njeriut.

Me sa di unë, devijimi nuk është e drejtë njerëzore por sëmundje që kërkon mjekim dhe përkujdesje urgjente psiko-sociale e fetare.

Lajmi.net: Cili është niveli i dijes dhe i gjuhës së hoxhallarëve në Kosovë? A ka ndikuar popullarizimi dhe shfaqja e tyre në Facebook dhe Youtube?

Shefqet Krasniqi: Nuk merrem me këtë lloj të analizave. Rrjetet sociale megjithatë e kanë një ndikim, por popullaritetin, për mendimin tim, hoxhallarët e kanë arritur se ky popull e do këtë fe, e do Zotin e vet.

Lajmi.net: Një numër jo i vogël i xhamive në vend paguajnë ujë dhe rrymë nga shpenzimet e vizitorëve, ndërsa tjerave ua paguan BIK’u. A do të thotë kjo se këtu ka xhami të ndërtuara krye më vete dhe BIK’u nuk do t’i njohë ato për shkak të drejtimit të imamëve të tyre?

Shefqet Krasniqi: Jo, nuk ka xhami ‘krye në vete’, por BIK nuk ka mundësi t’i mbulojë të gjitha shpenzimet. Ajo që kërkohet është që xhamitë të lirohen nga tatimet, ato janë objekte kulti, që as Serbia nuk i ngarkonte me tatime, ato janë në shërbim të popullit-shoqërisë, ndaj duhet trajtuar si shkollat, spitalet dhe zyrat e shërbimit civil.

Për fat të keq, ne tash po i mbrojmë, financojmë e mirëmbajmë kishat serbe përderisa nga buxheti i shtetit tonë lerë që nuk jepet asnjë cent për xhami, por ato ngarkohen edhe me shpenzime rryme, uji e të ngjashme.