Kosovarët po e tradhtojnë bregdetin shqiptar

Bregdeti shqiptar është i pasur me plazhe të bukura. Por vetëm plazhi duket se nuk po mjafton për pushuesit kosovarë. Ata po kërkojnë edhe shërbim më cilësor e më shumë jetë të natës.

Lajme

03/06/2017 13:34

Kjo duket të jetë arsyeja se pse është rritur ndjeshëm numri i ofertave nga Agjencitë Turistike dhe kërkesës se qytetarëve për t’i kaluar pushimet sivjet në bregdetin turk.

Vet qytetarët thonë se ka vetëm një arsye për këtë. Shqipëria posedon plazhe te bukura dhe çmime të lira, mirëpo mungon jeta e natës për të rinjtë, dhe mirëpritja ndaj pushuesve.

Ndërsa, as Ulqini duket se nuk po i kënaqë. Kjo për shkak të çmimeve të larta, ku një aranzhman një ditor në plazhet e Ulqinit kushton nga 32 e deri tek 67 euro.

Qytetarët: Duam më shumë cilësi në shërbime

Arbnor Mjeku dhe shokët e tij këtë vite planifikojnë që ta tradhtojnë bregdetin shqiptar duke e zëvendësuar me atë turk.

Ata mendojnë se përkundër bukurive që posedojnë plazhet në Shqipëri, megjithatë kanë vendosur për Turqinë.

“Në Shqipëri mungon jeta e natës dhe shërbimi nuk është aq cilësor”, tregon Arbnori.

Si Arbnori sivjet kanë vendosur shumë qytetarë tjerë. Kjo bazuar në të dhënat e Agjencive Turistike.

Turqia prin me oferta

Fidane Imeri, zyrtare për media nga Agjensioni turistik “Fibula Travel” ka thënë se edhe këtë vit ka oferta të ndryshme por destinacioni kryesor për këtë agjenci edhe sivjet është Turqia.

“Turqia mbetet vendi më i kërkuar nga turistët shqiptar. Kemi oferta nga më të ndryshmet. Çmimet fillojnë nga ato minimale 177 euro për person e deri ato maksimale që i kalojnë 1000 euro që përfshijnë biletën, hotelin, transferin dhe 24 orë shërbim”, ka thënë ai.

Ndërsa agjensioni turistik “Veneta Travel” si çdo vit tjetër, përsëri ka oferta të ndryshme për turistet që pushimet e tyre kanë planifikuar t’i kalojnë nëpër bregdete të ndryshme.

Boiken Beqiri nga ky agjencion thotë se për shkak të problemit me viza edhe këtë vite vendi me i kërkuar për pushime mbetet Turqia dhe krahasuar me vitin e kaluar çmimet janë më të larta. Por, në qershor hotelet janë më të lira.

Ndërkaq ofertat për Ulqin si edhe vitin e kaluar janë bukur të shtrenjta për xhepin e varfët të kosovarëve. Sipas ofertave, çmimet fillojnë prej 32 euro deri në 67 euro për një natë./Gazeta Fjala/