Kosovarët përfitojnë gjak nga ushtarët portugez të KFOR-it

Përveç që kujdesen për rend dhe ligj në Kosovë, ushtarët e KFOR-it ndërmarrin edhe aksione humanitare. Kështu sot disa ushtarë të KFOR-it portugez kanë dhuruar gjak për nevojat e qytetarëve të Kosovës.

Lajme

29/02/2016 17:04

Dhurimi i gjakut u bë në qendrën e batalionit portugez të KFOR-it në Prishtinë ku ushtarët e këtij batalioni iu kanë përgjigjur pa hezitimi dhurimit vullnetar të gjakut.

Komandanti i këtij batalioni Karlos Marcieira, tha se KFOR-i përveç operacioneve ushtarake, janë të përkushtuar edhe në aspektin human, siç është rasti i dhurimit të gjakut. Sipas tij, të gjithë ushtarët e këtij batalioni i janë përgjigjur pozitivisht kësaj iniciative.

“Siç edhe e dini, misioni ynë nuk janë vetëm operacionet ushtarake, por ne gjithashtu marrim pjesë edhe në aksione të tilla humanitare. Lidhur me këtë, në javët e kaluara ne kemi punuar ngushtë me Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, për të organizuar një aktivitet të tillë. Ne i jemi përgjigjur pozitivisht këtij aksioni, sepse e ndjejmë obligim të ndihmojmë popullin e Kosovës”, tha Marcieira.

Në mesin e dhuruesve të gjakut ishte edhe Karen Vander, kapitene në këtë batalion e cila vlerësoi lart aksionin e dhurimit të gjakut për popullin e Kosovës.

Ajo shpreson se iniciativa të tilla do të merren edhe në kampet tjera të KFOR-it.

“Kjo është diçka që KFOR-i shpreson se do të vazhdojë edhe në të ardhmen. Tani për tani e dimë që Qendra për Transfuzionin e Gjakut pranon kërkesa për rreth 100 njësi gjak në ditë. Ne shpresojmë që ta bëjmë këtë një aktivitet të vazhdueshëm edhe në kampet tjera, për ta ndihmuar popullin e Kosovës”, tha Vander.

Kjo iniciativë e dhurimit të gjakut nga ana e ushtarëve të KFOR- it është mirëpritur nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Kosovës për Transfuzionin e Gjakut.

Hysen Sadriu tha se dhurimi i gjakut është dhurata më e çmuar, prandaj duhet të dhurojnë për të gjithë pasi që gjaku nuk njeh gjini, racë, fe apo parti.

“Sot kemi organizuar aksionin vullnetar për dhurimin e gjakut me KFOR-in portugez. Për këtë janë bërë përgatitje më herët, duke i falënderuar të gjithë ushtarët e KFOR-it. Qendra Kombëtare për Transfuzionin e Gjakut e ka plan programin e vet, kështu që në mesin e tyre kemi organizuar aksione të tilla edhe më parë. Prandaj, i falënderoj për së tepërmi, sepse njeriu mund t’ i ndihmojë njeriut me shumë gjëra, mirëpo dhurimi i gjakut është dhurata më e çmuar. Prandaj mund të themi që përveç ndihmave të tjera që i jep KFOR-i popullit të Kosovës, këtë moment ka vendosur ta ndihmojë edhe me dhurimin e gjakut”, tha Sadriu.

Aktivitete të tilla të ndërmarra nga KFOR-i ndihmojnë Qendrën për Transfuzionin e Gjakut, për të plotësuar kërkesat e qytetarëve të Kosovës. /KosovaPress