Kosovarët paguajnë shtrenjtë për t’a shikuar Kombëtaren nga ballkonet e banesave

Tifozët nga Kosova të Kombëtares së Shqipërisë, të cilët nuk arrijnë të futen në stadium për ndeshjet e Shqipërisë, ndeshjet i shikojnë nga ballkonet e banesave në Elbasan Arena, e kjo sipas një raporti të publikuar nga Zëri po u kushton shumë shtrenjtë.

Sport

14/09/2015 10:49

Për t’i shikuar ndeshjet nga ballkonet secili duhet t’i paguajë nja 20-30 euro, varësisht nga marrëveshja me pronarin, raporton Zëri.

Sipas protagonistëve të raportit në gazetën Zëri, Drilon Berisha e Fisnik Matoshi në një ballkon ndeshjen me Portugalinë e kishin shikuar 21 persona dhe që të gjithë kishin paguar nga 20 apo 30 euro.

“Ne shkuam në Elbasan një ditë para ndeshjes për të siguruar bileta. Pas dy orësh, u lodhëm duke kërkuar bileta, dhe s’kishte askund. Shkuam për të fjetur, për çka paguam nga 20 euro. Të nesërmen, në ditën kur luhej loja, nga mëngjesi kërkonim bileta. Numri i tifozëve gjithnjë shtohej. Kurse, duke e parë krizën për bileta, disa njerëz nisën ‘misionin’ për t’i zhvatur njerëzit, pasi shisnin bileta në të zezën, me çmim marramendës – prej 250 deri në 300 euro”, rrëfen për Driloni për “Zërin”.

Duke u larguar nga aty, pamë një shtëpi apo banesë e cila po pranonte kosovarë në ballkonin e tyre. Kur u ngjitëm në katin e tretë të atij objekti, pamë se loja mund të shikohet nga aty, përkundër një largësie. Pronari e shiste një vend në ballkon për 30 euro. Fillimisht nuk pranuam, por pastaj te ne u shtua entuziazmi i lojës dhe u kthyem në atë ballkon, i cili ishte mbushur me tifozë kosovarë. Të gjithë ata ishin të lumtur që nga ai ballkon gjetën mundësinë për ta shijuar atmosferën e stadiumit. Atyre iu bashkuam edhe ne, tre shokët, dhe paguam nga 20 euro secili prej nesh për ato vende që i zumë në ballkon”, tregon Driloni. Kurse, Fisniku tregon se të gjitha banesat pranë stadiumit po e praktikonin një gjë të tillë, duke ua mundësuar kosovarëve që ta përcjellin ndeshjen nga ballkonet e tyre me çmim prej 20-30 eurosh.