Kosovarët nuk i besojnë “kondomit”

Besimi që kanë meshkujt kosovarë në vetvete del të jetë kogja i madh. Kjo shprehet edhe tek marrëdhëniet seksuale. Kur vie puna tek parandalimi i shtatzanisë, kosovarët më shumë e preferojnë metodën natyrale të  “tërheqjes prapa”, sesa kontraceptivët  e tjerë, edhe pse kjo metodë nga gjinekologët është cilësuar si jo shumë e sigurt.

Lajme

20/09/2017 14:55

Se meshkujt e preferojnë këtë metodë më shumë, këtë e thotë edhe raporti që kishte nxjerrë Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në vitin 2014, shkruan Gazeta Fjala.

Në raportin e publikuar nga ASK-ja, thuhet se me një përqindje prej 51.30 , metoda e “tërheqjes prapa”, është metoda më e popullarizuar.

“Metoda më e shpeshtë e kontracepsionit është tërheqja e cila është përdorur nga më shumë se gjysma e femrave të martuara në Kosovë (51%). Metoda tjetër më e shpeshtë është kondomi mashkullor dhe DIU (spiralja) e cila përbën 5% të femrave të martuara. 5% të femrave të martuara kanë raportuar përdorimin e kondomit mashkullor dhe DIU (spiralen) dhe 3% me pilula derisa të gjitha metodat e tjera janë nën 1%”, thuhet në raport.

E gjinekologët thonë se edhe pse tërheqja është metoda më e popullarizuar, ajo  është metoda më e rrezikshme sepse ofron vetëm 30% siguri.

Vlora Basha, hulumtuese në studimin mbi Planifikimin Familjar të UNFPA-së kishte thënë për media se megjithatë viteve të fundit është përmirësuar vetëdija mbi kontraceptivët.

“Në 2006 vetëdija ka qenë ekstremisht e ultë sa i përket njohurisë për kontraceptivë së paku nga rezultati i hulumtimit kualitativ që është nxjerrë në atë kohë. Tash njerëzit dinë pak më shumë për kontraceptivë por kjo nuk domethënë që i përdorin. Më së shumti kanë deklaruar që përdorin mënyra natyrale të mbrojtjes”, kishte thënë Basha.

Nuk i lejojnë as partneret që të përdorin kontraceptivë

 Meshkujt kosovarë  përveç që nuk i përdorin vet këto mjete kontraceptive ., ata refuzojnë që edhe partneria ta bëj një gjë të tillë, saqë nuk përtojnë që edhe të përdorin edhe dhunën në qoftë se ato veprojnë përkundër dëshirës së tyre.

 Shumica nga gratë thonë se dëshirojnë të mbrohen nga shtatzania e padëshiruar, por kur parteri merr vesh se po përdorin kontracetivë edhe i rrahin.

 E si arsyetim nga meshkujt, kur pyeten se pse nuk dëshirojnë të përdorin kontraceptiv, merret kënaqësia seksuale.

“S’përdori kondom, se nuk është kënaqësia e njëjtë si me kondom si pa ta”, ka thënë L.M për Gazetën Fjala.

Mirëpo, pasojat e këtyre veprimeve të meshkujve, po i vuajnë femrat. Nga shtatzania e padëshiruar për shkak të mos përdorimit të mjeteve parandaluese, ato detyrohen që edhe të abortojnë.

A është 38 vjeqare dhe është hera e tretë që po aorton. Ajo tregon për Gazetën Fjala, se si ka ardhur deri tëk aborti nga shtatzania e padëshiruar e se si edhe është rrahur kur ka tentuar që ta mbrojë veten.

“Le që s’përdorke ai, po smë lejke as mu. Mi pat zanë nja dy herë do kokrra që janë mos me mbet shtatzanë edhe më pat rrehë”, është shprehur ajo për Gazetën Fjala.

Kjo vërehet edhe në statistikat e një raporti të Rrjetit të Grupit të Grave të Kosovës mbi ndikimin e dhunës në shëndetin riprodhues të grave,ku thuhet se shumica e grave e dinë që kanë të drejtë të vendosin nëse dëshirojnë të përdorin kontraceptivë apo jo (78%), mirëpo ato nuk mund ta realizojnë këtë të drejtë përderisa jetojnë në marrëdhënie abuzive.

“46% thanë se partnerët e tyre “shpesh” i detyrojnë ato në seks pa kontraceptivë dhe 43% detyrohen të bëjnë më shumë fëmijë se sa kishin dëshiruar. Disa gra gjithashtu tregojnë se si familja e burrit u ka shkelur të drejtën për të vendosur kur dhe sa shpesh të riprodhojnë, duke bërë vazhdimisht trysni në to që të kenë më shumë fëmijë sidomos fëmijë të gjinisë mashkullore”, thuhet në raportin e RrGGK-së.

 “Ma lirë veç fal”

 Mjetet kontraceptive nuk është se kushtojnë shumë shtrenjtë. Në barnatore thonë se çmimi i një kondomi sillet nga 50 deri ne 1.50 cent.

 E tani në këto barnatore thonë se qytetarët nuk e kanë problem që të kërkojnë, sikurse ndodhte më parë që turproheshin.

“Tash nuk ju vjen marre, vijnë blejnë. Madje edhe numri i femrave që blejnë kondoma kohëve të fundit është rritur”, ka thënë njëra nga farmacistet për Gazetën Fjala.

Se tani nuk e kanë problem që të blejnë kondoma këtë e thonë edhe vet qytetarët, e edhe për çmimet nuk ankohen.

“Jo bre tash na u ka hjek me marre e me krejt. S’janë shtrejt jo. Ma lirë veq fal”, ka thënë B.Sh për gazetën.

Numri i kondamave të shitura arrin deri në 35,edhe pse kjo shifër ndryshon çdo ditë.

“Varet tash se shifrat nuk janë të njejta qdo ditë. Ama mesatarja e kondomave që shiten është prej 15-20. Ka raste kur ky numër arrin deri në 35 e më shumë”, është shprehur farmacistja.

E për tua lehtësuar furnizmin me kontraceptivë qytetarëve të Kosovës,Fondi i Kombeve të Bashkuara për popullsi kishte dhuruar në formë të donacioneve, kontraceptivë (Kondomë).

Mirëpo, udhëheqësja e këtij fondi, Diona Bogola, kishte kërkuar hetim nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Kosovës, pas dyshimeve se donacionet e dhuruara nga fondi i saj, mund të jenë keqpërdorur.

Bogola i ishte drejtuar, përmes një e-maili zyrtar, sekretarit të MSH-së, Gani Shabanit, dhe ministrit të Shëndetësisë, Ferid Aganit, duke shprehur shqetësimin e saj për keqpërdorimin e mundshëm të barnave esenciale, përkatësisht kontraceptivëve, të cilat ishin destinuar për tu shpërndarë falas, si masë mbrojtëse për femrat. Bogola ka sqaruar në e-mail, se kondomët kanë humbur nga rezervat e regjistruara, dhe se nuk janë dokumentuar fare, se ku janë shpërndarë. Madje, sipas saj, të njëjtit kondomë janë gjetur nëpër barnatore, si mall për tu shitur. /Gazeta Fjala/