Kosova, Zvicra dhe BE-ja – Lajmi.net
Kosova, Zvicra dhe BE-ja
Autori: Blerim Shala LajmeOp-EdOpinion 9:26, 18 April 2018
Edhe nëse Kosova në vitet e ardhshme, do të bëhet Zvicër, kjo nuk do të luante të thuash kurfarë roli sa i përket qëndrimeve të pesë shteteve për ta pranuar Kosovën në BE.

Raporti vjetor i Komisionit Evropian për Kosovën dhe shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimorë që ia kanë mësyer për të hyrë në Bashkimin Evropian, si rëndom në të kaluarën tek ne, shkakton debate politike dhe përplasje në mes të Qeverisë dhe të opozitës.

Raporti i fundit i këtij lloji (para këtij), ka qenë ai i vjeshtës së vitit 2016.

Në rastin e Kosovës pra, objektivisht, Raporti i sivjemë adreson dy Qeveri të Kosovës, një palë zgjedhje, zvarritje disamujore në krijimin e institucioneve qendrore, dy situata të ndryshme dhe një gjendje të njejtë: Atë të përparimit të kufizuar të thuash në të gjitha fushat e funksionimit të politikës kosovare.

Logjika e Raporteve të këtilla të Komisionit Evropian, deri vonë së paku, ka qenë e qartë, e kapshme, e kuptueshme për të gjitha shtetet pretendente për të mbërri në stacionin politik dhe ekonomik të Brukselit që bashkon Evropën në kuadër të BE-së. Pra, sa më shumë që këto shtete dhe këto shoqëri bëhen evropiane në funksionimin e tyre, sa më shumë që shquhen me përfaqimin e vlerave të demokracisë liberale në politikë, dhe të ekonomisë së tregut  (me atë dimensionin e përkujdesjes sociale), në ekonomi, aq më tepër do të shtohen gjasat që këto vende të hynë në BE.

Është supozuar, natyrisht, që në aspektin gjeo-strategjik, këto shtete të Ballkanit Perëndimor tashmë kanë ndarë mendjen dhe kanë orientim të qartë, apo, që nuk kanë kurfarë dyshimi as hezitimi për drejtimin që kanë: Kah Perëndimi, kah BE-ja.

Në ndërkohë, viteve të fundit së paku, duket që logjika e këtyre Raporteve të Komisionit Evropian ka pësuar një godtje të shumëfishtë.

Së pari, brenda vetë bllokut të madh të shteteve anëtare të BE-së, kemi shtete të cilat sot janë më pak evropiane  (në atë kuptimin e mirëfilltë të fjalës), se sa që kanë qenë para se të bëheshin anëtare të BE-së. Por tash këto shtete janë brenda BE-së, dhe Brukseli, apo, Komisioni Evropian nuk ka më çka të bëjë me qeveritë e këtyre shteteve, të cilat dyzojnë elementet autoritariste, popullizmin, ksenofobinë.

Së dyti, në ‘territorin’ e Ballkanit Perëndimor, viteve të mbrama po forcohet përplasja evidente politike dhe e sigurisë në mes të Federatës së Rusisë dhe Perëndimit, me qëllim evident të krijimit të problemeve të të gjitha llojeve për BE-në dhe Paktin NATO, dhe të ngadalësojë apo edhe të bllokojë shtrirjen/ zgjerimin e Paktit NATO dhe të BE-së në këto anë të Evropës.

Së treti, Britania e Madhe vendosi të largohet nga BE-ja, dhe kjo do të lë pasoja ende të paqarta për të ardhmen e BE-së.

Së katërti, brenda vetë BE-së, ka ende mëdyshje se si duhet të zhvillohet procesi final i integrimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimorë. Është e vërtetë që Strategjia për zgjerimin e BE-së, e bërë publike në muajin shkurt, ka hapur mundësinë që me gjasë, diku deri kah viti 2032, të rrumbullakësohet harta politike e Evropës. Por, prej tash e deri atëherë mund të ketë zhvillime të ndryshme, prapakthime të të gjitha llojeve, si në rajon, ashtu edhe në vetë BE-në. Pastaj, duket që tek personalitetet më të rëndësishme evropiane, ende nuk ka qartësi në këtë aspekt. Kështu, të njejtën ditë, brenda pak orëve, kemi pasë dy deklarata kundërthënëse. Jean-Claude Juncker, Kryetari i Komisionit Evropian përmendi madje mundësinë e ri-kthimit të luftës në këto anë të Evropës, poqëse nuk do të ketë integrim të këtyre shteteve në BE. Ndërsa Emanuel Macron, Presidenti i Francës, pohoi të njejtën ditë që prioritet i BE-së është konsolidimi i brendshëm e jo zgjerimi.

Sidoqoftë, në rastin e Kosovës, si gjithmonë, kemi edhe një specifikë a veçanti, që ndërlikon edhe më shumë perspektivën evropiane, në lidhje me këtë Logjikën e Raporteve të Komisionit Evropian. S’do mend që këtë Raporte kontribojnë që ne si shoqëri, si politikë, të shohim ku jemi dhe çka duhet të bëjmë tash e tutje që të përgatitemi si duhet për tu kualifikuar për anëtarësimin në BE. Por, kur jemi ne në pyetje, kjo nuk mjafton. Edhe nëse Kosova në vitet e ardhshme, me një mrekulli të paparë, do të bëhet Zvicër, kjo nuk do të luante të thuash kurfarë roli sa i përket qëndrimeve të pesë shteteve të BE-së që nuk ka kanë njohur deri tash, për ta pranuar Kosovën në BE.

Këtu kemi të bëjmë me një politikë të pastër që nuk ka lidhje as me BE-në, dhe as me Raportet e Komisionit Evropian.

Fotolajm

Rita, Dua dhe Era.
?>

ke nje LAJM

Jeni në vend të ngjarjes, apo dëshironi ta ndani ndonjë storie me të tjerët?

Klikoni në butonin më poshtë

DËRGO
 

Lojëra

  • Play Pro Kicker Frenzy
  • Play Bow Master
  • Play Bike Rivals
  • Play Urban Basketball