Kosova, vend të posaçëm në ceremoninë e shenjtërimit të Nënë Terezës

Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës, Don Lush Gjergji në një paraqitje ekskluzive nga Roma për emisionin ‘Alo Mirëmëngjesi’ të Radio Dukagjinit ka folur për përgatitjet që po bëhen pak orë para meshës së nesërme të shenjtërimit të nënës së madhe, Gonxhe Bojaxhiut, Nënë Terezës.

Lajme

03/09/2016 11:32

Gjergji ka deklaruar se mesha do të udhëhiqet personalisht nga Papa Françesku, ndërsa, Kosova bashkë me Shqipërinë kanë përfaqësim të posaçëm në këtë ceremoni madhore.

“Nesër është mesha e shenjtërimit, të cilën do të udhëheq Papa Francesku personalisht, i cili ka dashur që në qendër të vëmendjes së këtij viti dhe Kishës katolike, krishtërimit por edhe tërë botës,  të jetë; Nëna Terezë, si model jete, model frymëzimi e model shërbimi”, deklaroi Don Lush Gjergji, për Radio Dukagjinin.

Vikari Gjeneral i Ipeshkvisë së Kosovës dhe biografi i Nënë Terezës, Don Lush Gjergji, foli edhe për rëndësinë në këtë meshë që ka përfaqësimi i Kosovës në këtë meshë dhe pritja që u është bërë atje.

“Në qendër të vëmendjes këtu, është populli shqiptar, në mënyrë të veçantë Kosova jonë, me përfaqësuesit e saj më të lartë, me kryetarin, kryetarin e Parlamentit,  kryeministrin, ministra e parlamentarë dhe njëkohësisht në këtë nivel është përfaqësuar edhe Shqipëria dhe ne jemi së bashku këtu për të dëshmuar dhe për t’i treguar edhe njëherë vetës dhe Botës se kush kemi qenë, kush jemi dhe kush duhemi të jemi, e mbi të gjitha t’i kthehemi vëllazërisë sonë shqiptare. Pra, jemi në Romë për të nderuar bijën, motrën, nënën e tash shën-Terezën e dashurisë dhe për t’i treguar Botës se si populli ynë, atë e ka gjithnjë në mendje dhe zemër dhe ajo mbetet frymëzimi ynë, dhe ndërmjetësuesja jonë para Zotit dhe Botës mbarë.”-tha Don Lush Gjergji në ekskluziven nga Roma, dhënë Radio Dukagjinit.