Kosova U21 nis përgatitjet për dy ndeshjet e radhës kualifikuese

Kombëtarja U21 ka nisur sot përgatitjet për dy ndeshjet e radhës në kuadër të kualifikimeve për Evropianin 2019, të cilat do t’i zhvillojë më 22 e 27 mars, kundër Azerbajxhanit, përkatësisht Gjermanisë, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Sport

19/03/2018 21:21

Shpresat e Kosovës janë grumbulluar në hotel “International Prishtina” derisa stërvitjen e parënën drejtimin e trajnerëve, Rafet Prekazi, Erdogan Celina e Naser Prapashtica, e kanë mbajtur sot pasdite në fushën me bari sintetik “Top Football” në Mazgit.

Ndonëse nën reshjet e vazhdueshme të shiut futbollistët kanë treguar angazhim maksimal në stërvitje, duke dëshmuar se me padurim i presin këto dy sfida të radhës, sidomos për faktin se do të luajnë para tifozëve të tyre.

Në stërvitjen e parë kanë munguar vetëm Ardian Ismajli dhe Florent Hasani, të cilët do t’i bashkohen ekipit që nga stërvitja e nesërme për shkak të obligimeve me klubet e tyre. Stërvitja e radhës mbahet nesër në stadiumin e 2 Korrikut, në orën 13:00, derisa stafi i trajnerëve krahas punës në terren, do të bëjë edhe analizat e ndeshjeve paraprake dhe të kundërshtarëve.

Deklaruan pas stërvitjes:

Rafet Prekazi: Në të gjitha ndeshjet e deritashme kemi treguar lojëra të mira dhe këta djelmosha kanë treguar se kanë potencialë. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm se jemi ekip i ri dhe realisht kundër asnjë rivali nuk mund të jemi favorit, por duhet të japim 200 përqindshin në fushë. E dimë fare mirë kë e kemi kundërshtarë, por qysh në fillim të këtyre kualifikimeve kam thënë se Kosova nuk do të jetë kafshatë e lehtë dhe kjo edhe u dëshmua. Tash pas çdo ndeshje ekipi po bëhet më kompakt. Dy lojtarë nga ky ekip kanë kaluar në Kombëtaren A dhe ky është një sukses. Edhe në dy ndeshjet e radhës pres që këta djelmosha të japin maksimumin e tyre, por atyre u duhet përkrahja e tifozëve, ashtu siç ju ka dhënë në ndeshjet e kaluara në Mitrovicë nga Dardanët dhe populli i Kosovës, sepse ata janë të etshëm për lojë të mira. Mendoj se tifozët janë të kënaqur me paraqitjet e këtyre djelmoshave, kurse qëllimi ynë është që në çdo ndeshje të hyjmë për të treguar cilësi dhe normalisht për të korrur sukses.

Valmir Sulejmani: Jam kthyer pas një pauze 7 muajshe nga lëndimi. Normalisht se nuk është e lehtë të kthehesh pas një lëndimi aq të rëndë, por ndjehem mirë dhe të shohim si do të shkojnë gjërat. Kam luajtur 4-5 ndeshje me ekipin e dytë të Hanoverit dhe kam dhënë maksimumin dhe besoj se rikthimi po shkon mirë. Sa i përket dy ndeshjeve të ardhshme pres që të korrim sukses. Gjermaninë e njoh shumë mirë sepse kam luajtur në ekipet e tyre U-17 dhe U-18, por nëse japim maksimumin dhe luajmë mirë kemi gjasa për fitore. Sa i përket Azerbajxhani nuk kam qenë në ndeshjen e kaluar, por besoj se kemi më shumë kualitet.