Kosova U21 mbajti stërvitjen e radhës, telashe me lëndime

Pas paraqitjes së shkëlqyeshme në fitoren kundër Azerbajxhanit (2:0), Kombëtarja U21, sot, ka mbajtur seancë stërvitore në kuadër të përgatitjeve për ndeshjen e radhës kundër Gjermanisë, që zhvillohet, të martën, në orën 18:45, në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë.

Sport

23/03/2018 17:30

Si pasojë e reshjeve të borës stërvitja e sotme u zhvillua në fushën e mbuluar “Zidane” në Arbëri të Prishtinës, ku futbollistët që luajtën në ndeshjen e mbrëmshme patë një stërvitje rigjenerimi, derisa pjesa tjetër e futbollistëve zhvilloi stërvitje me ritëm të zakonshëm. Në stërvitjen e sotme munguan Rron Broja, Mirlind Daku dhe Besfort Kolgeci.

Stafi mjekësor i kombëtares, Mehmet Maxhuni e Feim Gashi, kanë bërë të ditur se Broja dhe Daku janë duke u trajtuar për t’u kthyer sa më parë në dispozicion të trajnerit Prekazi, derisa Kolgecin e pret një pauzë më e gjatë, pasi ka pësuar frakturë në dorën e djathtë dhe ka vendosur gjips. Megjithatë, të tre futbollistët e lënduar e kanë përcjellur nga afër stërvitjen për t’i japur kurajë bashkëlojtarëve të tyre.

Ndërkohë, në vend të Kolgecit për ndeshjen me gjermanët është ftuar në grumbullim futbollisti i Flamurtarit, Rron Statovci, i cili ka qenë edhe në të kaluarën pjesë e këtij grupi. Kombëtarja U21 nesër ka planifikuar të mbajë stërvitje në fushën “Top Football” në Mazgit, në orën 15:30, mirëpo në rast të reshjeve të borës mund të ketë ndryshim të agjendës.

Rafet Prekazi: “Sot bëmë një stërvitje rigjenerimi me lojtarët që kanë qenë të angazhuar në ndeshjen e mbrëmshme, derisa pjesa tjetër bëri stërvitje sipas planit. Fatkeqësisht në fitoren kundër Azerbajxhanit, Besfort Kolgeci pësoi frakturë në dorë, një lojtar shumë i rëndësishëm për ne. Po ashtu, të lënduar janë edhe Broja dhe Daku, që na i vështirësojnë dukshëm gjërat për sfidën me Gjermaninë. Sidoqoftë, ne do të mundohemi t’i shfrytëzojmë këto ditë për t’u përgatitur sa më mirë. Ka ngritje të lojës sonë, por ne nuk duhet të kënaqemi me këtë që e kemi arritur. Duhet të punojmë edhe më shumë. Koha po punon për futbollin e Kosovës, por duhet të jemi të bashkuar për të ecur tutje përpara”.

Mirlind Daku: “Në ndeshjen e mbrëmshme kam pësuar një lëndim në shpinë, por pres që me trajtimin e stafit mjekësor të jem në gjendje për t’u kthyer sa më parë në stërvitje dhe për të qenë në dispozicion të trajnerit në ndeshjen kundër gjermanëve. Këto lloj lëndime vijnë si pasojë e kushteve që kemi në kampionatin tonë, pasi luajmë në fusha të papërshttshme dhe me bari sintentik”./Lajmi.net/