Kosova temë e liderëve të Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Rumanisë në Bukuresht

Pasditen e sotme në Bukuresht pritet që të takohen krerët e shteteve të Rumanisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Greqisë.

Lajme

24/04/2018 11:46

Takime mes liderëve të këtyre shteteve ka pasur edhe në të kaluarën, i pari në Varna në tetor të 2017-ës, i dyti në Beograd në dhjetorin e vitit të njëjtë ndërsa i treti ka qenë paraparë të mbahet në mars të këtij viti por është shtyrë për sot, pasi dorëheqjes së kryeministrit rumun, Mihai Tudose që u zëvendësua nga Vasilica-Viorica Dancila, shkruan Balkaneu, përcjell Klan Kosova.

Në takimin e sotëm ku nikoqir është Dancila, pjesë do të marrin edhe kryeministri i Greqisë, Alexis Tsipras, ai i Bullgarisë,  Boyko Borissov si dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Këta liderë në Bukuresht, do të kenë mundësi që të informohen dhe të shkëmbejnë pikëpamjet për zhvillimet në Ballkan.  Aty pritet që të flitet edhe për Kosovën dhe bisedimet e saj me Serbinë.

Më tej do të flitet për negociatat Greqi-Maqedoni për çështjen e emrit, raportet Evropë – Turqi si dhe çështja e Qipros dhe ajo e migrimit.