Kosova s’renditet në vendet e favorshme për investime

Krenar Gashi nga INPED thotë se politikat aktuale dhe burokracia e bëjnë Kosovën një vend të papëlqyer nga investitorët e huaj.

Lajme

12/01/2014 13:27

Kosova është vend i pafavorshëm për investitorët e huaj, të cilët duan që të investojnë në sektorin e energjisë së ripërtërishme.

Ky ka qenë konstatimi i cili ka dalë nga një studim i bërë nga INPED dhe KOSID.

Duke folur për mungesën e tarifave nxitëse për energjinë gjeotermale dhe solare, Krenar Gashi nga INPED thotë se politikat aktuale dhe burokracia e bëjnë Kosovën një vend të papëlqyer nga investitorët e huaj.

“Ky studimin merret me mundësinë që Kosova të tërheq investitor për tregun e energjisë së ripërtërishme të energjisë”.

“Kur e kemi filluar këtë hulumtim në prill të vitit të kaluar kanë qenë diku 17 licenca të cilat një investitor i huaj në Kosovë, do të duhej që t’i merrte veç e veç për të hapur një biznes sa i përket sektorit të energjisë së ripërtërishme”.

“Me këtë kornizë ligjore të cilën e kemi, me këtë politikë në sektorin e energjetikës, ne konstatojmë se Kosova është vend i pafavorshëm edhe krahasuar me rajonin dhe sidomos më gjerë për t’u investuar në këtë sektorë”.

Rinora Gojani thotë se Kosova është pak e njohur me termet e tarifave nxitëse. Ajo ka thënë se kushtet për t’u integruar në BE kërkojnë që të zbatohet 20:20’tëshi.

Gojani thotë se mungesa e tarifave nxitëse në Kosovë e bëjnë të pamundur krijimin e një ambienti të mirë për të nxitur investitorët e huaj që të vijnë dhe të hapin biznesin e tyre në Kosovë.

“Tarifat nxitëse në Kosovë, janë bërë të njohura vetëm pasi Kosova është munduar që të përafrojë legjislacionin e saj me BE’në, për të përmbushur hendekun e furnizimit me energji elektrike, e cila përndryshe duhet të mbulohet me importe të cilat kanë çmim shumë të lartë”.

“Tashmë një nga objektivat e strategjisë së Kosovës është integrimi në BE dhe përmbushja apo zbatimi i 20:20. Andaj caktimi i tarifave nxitëse për stimulimin e investitorëve dhe krijimin e një ambienti të përshtatshëm për investim, është tejet i rëndësishëm për rritjen e sigurisë në energji, me kushte më të mira mjedisore si dhe plotësimin e objektivave shtetërore”.

“Tarifat nxitëse janë të hartuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë. Kosova nuk i ka të përcaktuara të gjitha tarifat, ka vetëm tarifën nga uji, era dhe biomasa. Ndërsa tarifa nxitëse gjeotermale dhe solare mungojnë”.

“Mungesa e tarifave nxitëse e bënë të pamundur stimulimin dhe krijimin e ambientit të përshtatshëm për investitor, të interesuar që do të vinin për rigjenerimin e energjisë nga burimet e ripërtërishme”.

INPED ka dal me rekomandimet e saj, duke vënë theksin në lehtësimin e marrjes së licencave nga investitorët potencial si dhe fillimin e dhënies së certifikatave të gjelbra.

“Të krijohen lehtësime dhe reformim nga MZHE, dhe MT dhe ministritë e tjera për nxitjen e investimeve në objektet dhe instalimet e burimeve alternative”.

“Të shqyrtohet vendosja e sistemit të cerfitikatave të gjelbra për të kontrolluar nivelin e energjisë së gjelbër që konsumohet si dhe për të nxitur investimet nga jashtë”- tha Rinora Gojani nga INPED.