Kosova së shpejti me dy njohje të reja

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, në kuadër të lobimit për përmbylljen e procesit të njohjeve, ka takuar në Bruksel, në margjina të samitit BE –Afrikë, ministrin e Jashtëm të Eritreas, si dhe ministrin e Jashtëm të Sudanit Jugor.

Lajme

02/04/2014 13:45

Sipas një komunikate për medie të MPJ-së, gjatë takimeve të ndara, ministri Hoxhaj i njoftoi dy ministrat për progresin e brendshëm në Kosovë, si dhe fuqizimin e shtetësisë e të subjektivitetit ndërkombëtar.

Ministri Hoxhaj foli edhe për avancimin e vazhdueshëm të procesit të njohjeve të Kosovës, si dhe për angazhimin e Kosovës për anëtarësim në organizatat evropiane dhe ndërkombëtare.

Pas takimit, Hoxhaj tha se dy vendet në një të ardhme të afërt pritet ta njohin Republikën e Kosovës.

“Kam marrë konfirmim zyrtar që të dy vendet në një të ardhme të afërt do ta njohin Republikën e Kosovës si shtet sovran dhe të pavarur. Me këtë, dëshmohet që procesi i njohjes së Kosovës është i pandalshëm dhe që gjeografia e saj është globale”.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Eritreas, Osman Saleh, tha se vendi i tij përcjellë me vëmendje zhvillimet në Kosovë, duke vlerësuar pozitivisht rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Saleh po ashtu tha se Eritrea përkrah të drejtën për vetëvendosje të popujve dhe se në këtë kontekst do të marrë hapat e nevojshëm për të forcuar marrëdhëniet me Kosovën.

Edhe ministri i Jashtëm i Sudanit Jugor, Barnaba Marial Benjamin, tha se shteti i tij përkrah Kosovën dhe rrugën e saj për të shtuar numrin e njohjeve, duke paralajmëruar se nga Sudani Jugor priten lajme pozitive për forcimin e marrëdhënieve me Kosovën.