Kosova me më së paku punime shkencore në rajon

Kosova gjatë 12 viteve të fundit ka 826 punime shkencore, duke u renditur vendi me më së paku punime në rajon. Gjendja e tillë është alarmante dhe të gjithë duhet fokusohen për ta rregulluar atë.

Lajme

11/12/2016 15:33

Kështu u tha në tryezën shkencore me temën “Arsimimi dhe shkenca në Kosovë në fazë me shkencën ndërkombëtare dhe nevojat zhvillimore të Kosovës”, të organizuar nga Qendra Hulumtuese për Zhvillimin e Kosovës.

Në këtë tryezë u bë evidentimi i të metave ekzistuese në politikat zhvillimore arsimore-shkencore, kurrikulat, tekstet mësimore, profesionalizmin e mësimdhënies dhe mësim-nxënies dhe të metat shkencore dhe didaktike të librave apo njësive metodike të caktuara.

Albena Reshitaj nga Universiteti i Prishtinës, në këtë tryezë paraqiti cilësinë e arsimit të lartë në Kosovë, ku tha se sipas raportit të nxjerrë nga Instituti Demokraci për Zhvillim, interesimi për t’u regjistruar në arsimin e lartë në Kosovë është shumëfishuar në dekadën e fundit, ku vetëm ndërmjet vitit 2004 deri në vitin 2015, numri i studentëve është trefishuar.

Reshitaj tha se ndër shkaktarët kryesorë të rënies drastike të cilësisë së arsimit të lartë në Kosovë janë pranimin në Universitet me korrupsion dhe me nepotizëm, mungesa e literaturës e të tjera.

Ai shtoi se a do të vazhdojë Ministria e Arsimit, Universiteti i Prishtinës dhe institucionet tjera të arsimit të lartë të mbartin përgjegjësinë që nesër të ndodh edhe një dështim i formatit PISA për nivelin e arsimit të lartë universitarë.

Si panelist në këtë tryeze nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ishte edhe Murtez Osdautaj, i cili paraqiti numrin e botimeve shkencore në 10 vjeteshin e fundit në vendet e Ballkanit, ku sipas tij, Kosova në 12 vitet e fundit ka botuar 826 punime që sipas tij, kjo gjendje është alarmante. Osdautaj tha se po i sjellë këta numra për të parë gjendej tonë të përgjithshme, pasi që sipas tij, PISA nuk është diçka e rastësishme apo e papritur.

Kjo tryezë u mbajt nga Qendra Hulumtuese për Zhvillimin e Kosovës, përkatësisht nga Departamenti për arsim, shkencë dhe teknologji, i cili u përkrahë nga “Fondacioni Behgjet Pacolli”./KosovaPress/