Kosova s’do të mund të bëhej anëtare e UNESCO-s as me 3 vota me shumë, ja pse

Votimi në UNESCO e ka lënë Kosovën jashtë, për shkak se nuk kishte siguruar edhe 3 vota për të arritur kuotën e 95 votave, e cila do e bënte anëtare të UNESCO-s, në skenarin me 145 pjesëmarrëse në votim. Kosova do të mund të bëhej anëtare e UNESCO me 3 vota më shumë, por vetëm në rastin nëse 3 nga shtetet që votuan kundër, do të votonin pro Kosovës.

Lajme

10/11/2015 14:06

E nëse Serbia do të vazhdonte t’i kishte 50 vende mbështetëse që kundërshtonin anëtarësimin e Kosovës, atëherë nuk do të mjaftonin 3 vota pro që Kosova të bëhej pjesë e UNESCO-s, të cilat do të mund të vinin nga abstenuesit apo nga shtetet që nuk morën pjesë në seancë.

Për ta pasur më të qartë se si ka funksionuar votimi, do të mund ta shtjellonim në këtë formë:

Së pari, UNESCO ka 195 shtete anëtare.

Kosova, që të siguronte hyrjen në këtë organizatë duhet të siguronte votën e 2/3 të shteteve pjesëmarrëse në votim.

Secili vend ka mundur të vendosë që të marrë pjesë ose të mos marrë pjesë në seancën ku është votuar.

Gjithashtu, nga llogaritja e 2/3 bien edhe vendet që abstenojnë.

Pra, për ta thjeshtësuar, hipotetikisht, nëse nga 195 vendet pjesëmarrëse, 5 zgjedhin të mos marrin pjesë fare në seancë, kurse 40 zgjedhin që të abstenojnë, na mbesin 150 vende.

Kosova do duhej që të siguronte 2/3 e 150 vendeve që kanë zgjedhur që të marrin pjesë në votim, pra, 5 jo-pjesëmarrëset dhe 40 abstenuesit bien nga loja.

Kështu, nëse për Kosovën, marrim shembull, do të votonin pro edhe 3 vende nga abstenuesit, p.sh. 3 shtete që e kanë njohur Kosovën – Japonia, Polonia e Egjipti, Kosova do të siguronte 95 vota, por në atë rast, jo edhe 2/3, shkruan lajmi.net.

Kjo pasi që, 3 abstenuesit do të hynin në lojë dhe do të llogariteshin si 3 votues më shumë, duke e dërguar numrin total të votuesve në 145.

2/3 e 145 është 97. Në këtë rast, do duhej që 2 shtete që kanë votuar kundër Kosovës të votonin pro, që Kosova të shkonte me 97 vota. Pra, 3 nga abstenuesit, 2 nga kundër Serbia që do dilnin në 2 pro, i bie që në këtë rast, Kosova nuk do ta siguronte anëtarësimin për 7 vota.

Skenari i vetëm kur Kosova me 50 vota kundër do të mund të siguronte anëtarësimin, është me 100 vota pro e 150 pjesëmarrës.

Realisht, Kosovës do i duheshin edhe 8 vota nga abstenuesit, që të mund të anëtarësohej.

Kurse, skenari i vetëm kur Kosova do të mund të anëtarësohej me 95 vota, është sikur 3 shtete që kanë votuar kundër pranimit të votonin pro, duke i larguar kështu 3 vota Serbisë e duke i shtuar 3 Kosovës.

Edhe në këtë skenar, Kosova i bie se nuk ka arritur që të anëtarësohet për 6 vota.

Si përfundim, në cilindo variant, Kosovës që të anëtarësohet në UNESCO, i janë dashur më shumë se 3 vota, për të cilat thuhet se i kanë munguar. /lajmi.net